Mesazhi i Piques zbulon tensionet mes lojtarëve dhe bordit të Barcelonës

Komentet e fuqishme të Gerard Piques pas fitores së Barcelonës kundër Getafes kanë zbuluar një mosmarrëveshje të tensionuar mes lojtarëve dhe bordit të Barçës.

Marketing

Kjo temë së fundmi u bë e bujshme pas disa lajmeve të caktuar në mediat spanjolle për pushtetin e madh që disa futbollistë e kanë në klubin e Barcelonës.

“Ne duhet patjetër të jemi të bashkuar. Jo vetëm ne lojtarët, por edhe bordi. Kur njëra palë nuk dëshiron të luftojë, atëherë nuk ka mosmarrëveshje”, tha Pique pas ndeshjes me Getafen.

Qendërmbrojtësi spanjoll, i cili është ndër kapitenët e klubit, iu dërgoi mesazh të qartë anëtarëve të bordit të Barçës: “ Ne nuk duam të zemërohemi. Kur dy palë nuk duan të zemërohen, atëherë nuk ka mosmarrëveshje. Ne e njohim klubin, ne e dimë se cilat gazeta (janë të lidhura me klubin) dhe e dimë se kush i shkruan këto lajme, edhe nëse emri i tyre nuk shfaqet në artikull”.

Deklaratat e Piques pasqyrojnë marrëdhëniet e këqija mes lojtarëve dhe bordit, momentalisht.

Pique i bëri këto komente pas një lajmi të publikuar nga gazeta katalonase, e afërt me klubin, Mundo Deportivo, i cili fliste për pushtetin e lojtarëve në Barçë.

Lajmi fliste për pushtetin që lojtarët e kanë në klubin dhe përshkroi sesi lojtarët gjoja e kishin marrë në dorë klubin në shumë mënyra.

Mundo Deportivo shkroi për kërkesat që i bënin lojtarët klubit dhe për pushtetin që ata e kanë kur vjen puna te vendimet.