Mësimdhënësit e klasave 1-5 kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Paga

Mësimdhënësit e arsimit fillor të klasave një deri në të pestën kanë bërë një kërkesë në Komisionin parlamentar për arsim, duke kërkuar që të plotësohet dhe ndryshohet Ligji për Paga.

Kërkesën e kanë dorëzuar javën e kaluar, meqë po konsiderojnë se në këtë ligj janë diskriminuar, shkruan sot Koha Ditore.

Mësimdhënësit e këtyre klasave duan që koeficienti i tyre në Ligjin për Paga të barazohet me mësimdhënësit e klasave 6-9. Sipas Ligjit, mësimdhënësit nga klasa e parë deri në të pestën kanë koeficient 2.3, kurse ata në klasat gjashtë deri në të nëntën kanë koeficient 2.45. Diferenca në paga është 35 euro më shumë për këta të fundit.

Iniciuesi i kërkesës për ndryshim të ligjit, Xhavit Lani ka thënë se presin që propozimi i tyre të merret parasysh dhe kjo kategori e mësimdhënësve ta ketë vendin e merituar.

Për koeficientet e mësimdhënësve nga klasa e parë deri në të pestën ai e ka bërë fajtore Sindikatën e arsimit. SBASHK-u, sipas tij, është dashur të angazhohet njëjtë për të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit e jo të bëhen dallime.