Mësimi online po realizohet me vështirësi

Probleme të shumta po shoqërojnë nxënësit dhe mësimdhënësit gjatë realizimit të mësimit online. Mësimdhënësit ankohen për mungesë të kushteve për punë. Ndërkohë, nxënësit thonë se nuk po realizohen të gjitha orët mësimore të parapara me orarin shkollor. Alsat kontaktoi shkolla të caktuara por asnjë prej tyre nuk pranojnë mangësitë e realizimit të mësimit online, pavarësisht se nxënësit dëshmojnë të kundërtën. Alsat ka siguruar disa biseda me nxënësit të cilët dëshmojnë se po humbin nga mësimi dhe se mësimi nga distanca po realizohet me shumë vështirësi.

Marketing

Ndërsa disa heshtin, drejtori i shkollës fillore “Rexhë Rushit Zajazi” në Kërçovë pranon se po përballen me vështirësi të ndryshme në zhvillimin e mësimit nga distanca. Madje, ai tha se deri të martën mësimi online është bojkotuar nga pjesa më e madhe e nxënësve. Shkolla në fjalë numëron 326 nxënës, përfshirë edhe shkollat periferike.

Deri dje nuk janë kyçur thuajse asnjë nxënës në shkollën tonë me përjashtime të vogla, diku 12-13 nxënës, ndërsa prej sot kanë filluar të kryqen më tepër nxënës. Kërkonin që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike për shkak se shkolla qendër i plotëson kushtet, si për nga hapësira është e madhe i plotëson kushtet për mësim me prezencë fizike. Kemi pasur problem të këtilla shumë për shkak të rrjetit, binte rrjeti – deklaroi Naser Ismaili, drejtor i Sh.f “Rexhë Rushit Zajazi” Kërçovë.

Nga Ministria e Arsimit u përgjigjën për Alsat se prej fillimit të vitit shkollor e deri më sot, numri i nxënësve që ndjekin mësimin nga distanca është rritur për 17 %. Gjegjësisht, rreth 87 % e nxënësve me sukses po ndjekin mësimin nga distanca. Gjithashtu, nga MASH thanë se janë në komunikim të vazhdueshëm me drejtorët e shkollave dhe qeverisjen lokale për zgjidhjen e problemeve që pamundësojnë realizimin e mësimit nga distanca.

Marketing