Mësohet identiteti i alpinistit nga Maqedonia e Veriut që vdiq në Olimp

Mefail Guri nga Shkupi, i lindur në vitin 1962 është alpinisti nga Maqedonia e Veriut që humbi jetën gjatë ditës së djeshme në malin Olimp në Greqi.

Lajmin për vdekjen e Gurit është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme si dhe nga SH.B.E. “Shkupi”.

“Ditën e djeshme një pjesë e anëtareve të SH.B.E. “Shkupi” udhëtuam në Greqi për tu ngjitur në malin e Olimpit. Rreth orës 20:00 arritëm 50 metra në afërsi të shtëpisë malore “Refugge A” dhe për një moment anëtari dhe vëllai ynë Mefail Guri u ndal, u mbështet mbi shkopinj dhe ra pa vetëdije, duke u rrokullisur rreth 10m. Pasi qe ishte pa vetëdije, as nuk fliste, e as nuk dinte të mbahej . Ne vrapuam duke i dhëne ndihmën e parë, në afat prej 2 minutash kane arritur edhe persona zyrtare nga shtëpia malore për dhënien e ndihmës së parë te cilët dhanë maksimumin e tyre, provuan edhe me elektroshok ta kthejnë në jetë, por për fat te keq nuk arritën”, thonë nga Shoqata Bjeshkatare Ekologjike “Shkupi”.

Shkaku i vdekjes pritet të mësohet nesër pas kryerjes së autopsisë në Selanik, ndërsa sipas informatave fillestare, ka të ngjarë që alpinisti Guri të ketë pësuar sulm në zemër.

evn