Messi me magjinë e tij e shkatërron Liverpoolin (VIDEO)

Lionel Messi me dy gola i ka ndihmuar Barcelonës ta mposhtë bindshëm 3:0 Liverpoolin në ndeshjen e parë gjysmëfinale mes tyre në Ligën e Kampionëve dhe pothuajse ta sigurojë finalen e parë që prej vitit 2015 në këtë garë.

Marketing

Messi me golin e tij të 600-të dhe 601 në karrierë, si dhe Luis Suarez me një gol ia siguruan Barcelonës një fitore shumë të madhe ndaj Liverpoolit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën në Camp Nou, që i jep gjigantit të La Ligës një epërsi tejet komanduese para ndeshjes kthimit pas një jave.

Katalonasit e patën një pjesë të parë me të mirë se vizitorët nga Liverpooli dhe e fituan me një gol të Luis Suarezit.

Suarez e çoi topin në rrjetën e portës së Alisson Becker duke u futur nga plani i dytë, pas një superpasimi të Jodri Albas në minutën e 25-të. Ky ishte goli i tij i parë në Champions pas plot një viti.

Liverpooli nuk e pati asnjë goditje brenda kornizës së portës së Marc-Andre ter Stegen në këtë pjesë lojë, edhe pse u shfaq shumë i rrezikshëm në disa raste me Sadio Mane dhe Mohamed Salah.

Skuadra e Jurgen Klopp mori kontrollin e lojës në dorë në pjesë e dytë, duke bërë një fillim shumë të mirë.

Por ishte, Barcelona, që me dy goditje në kornizë të portës, shënoi dy herë, falë madhështorit Lionel Messi.

Superylli argjentinas së pari shënoi pas një topi të kthyer, pasi Suarez e kishte qëlluar shtyllën në minutën e 75-të.

Rreth dhjetë minuta para fundit, Messi bëri çmendurinë duke realizuar një gol të jashtëzakonshëm nga goditja e dënimit për 3:0.

Të kuqtë i patën rastet e veta, por Ter Stegen me disa pritje ndaj Salah dhe Mane dhe shtylla transversale e shpëtuan Barçën nga pësimi i golit.

Barcelona e viziton Liverpoolin në Anfield të martën për ndeshjen e kthimit, kur do të vendoset finalisti i parë i Champions për këtë vit.