Largimi i Gruevskit është edhe marrje e fajësisë. Gruevski kaloi kufirin shqiptaro-malazes 2 ditë para shpalljes në kërkim ndërkombëtar.

Qëndrimi i Presidentit Ilir Meta, pas arratisjes në Hungari të ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, nuk përfshin vetëm rastin konkret. Ai shtrihet edhe për politikanë apo ish-politikanë të lartë në Shqipëri, të përfolur për abuzim me pushtetit dhe korrupsion apo më gjerë në rajon. Në Forumin e Medias për Europën Jug-Lindore, ( SEEMF-South East Europe Media Forum) që nisi punimet në Tiranë, të enjten (15.11.2018), Presidenti Meta, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për çështjen Gruevski tha: “Çdo politikan, aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë, nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike dhe janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë, në njëfarë mënyre, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë”, theksoi Presidenti Meta në SEEMF.

Në Shqipëri, reforma në drejtësi parashikon edhe vetting-un e politikanëve. Polarizimi i skajshëm politik dhe mosmarrëveshjet maxhorancë-opozitë nuk kanë bërë të mundur ngritjen e institucioneve të miratuara në Kushtetute – si SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion) që ky proces të fillojë. Opozita nuk pranon që vetting-u të bëhet nga ky institucion por nga një strukturë tjetër, ngritja e të cilës kërkon ndryshime kushtetuese, gjë që shtyn fillimin e procesit.