Meta kthen ligjin e kaluar në Kuvend: Krijon rrezik për pastrimin e parave

Presidenti Meta ka vendosur të kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “shërbimin e pagesave”.

Marketing

Ligji synon të rregullojë shërbimin e pagesave në mënyrë të posaçme dhe u votua në Kuvend më 30 Prill. Në arsyetimin e tij për kthimin e ligjiy, presidenti thotë se e mirëpret këtë iniciativë të Këshillit të Ministrave por shfaq disa problematike lidhur me licensimin e kompanive të cilat do të ndërmarrin shërbimin e pagesave.

Presidenti Meta thotë se ligji i miratuar në Kuvend nuk përcakton qartë kriteret e licencimit të institucioneve të pagesave dhe shkeljet konkrete që çojnë në vendimmarrjen për heqjen e licencës të këtyre institucioneve.

Ai shton se autoritetit licencues nuk i janë përcaktuar qartë funksionet shteruese mbikqyrëse dhe mekanizmave mbi mënyrën e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje.

“Të gjitha këto mangësi të konstatuara cenojnë parimet kushtetuese të sigurisë juridike, lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, trajtimit të barabartë përpara ligjit, duke mos garantuar plotësisht jo vetëm sigurinë e administrimit të fondeve që qarkullojnë përmes institucioneve të pagesave, por edhe duke krijuar rrezikun potencial të keqpërdorimit të tyre me qëllime kriminale, si ato të pastrimit të parave apo të financimit të terrorizmit.”- shkruhet në arsyetimin e Presidentit.

Sipas tij, në disa dispozita të tij, ligji nr. 55/2020 nuk është në harmoni me legjislacionin penal të Republikës së Shqipërisë, duke krijuar problematikë në punën e organeve ligjzbatuese në ushtrimin e ndjekjes penale për vepra penale që mund të konsumohen nga subjekte, që përdorin shërbimet sipas këtij ligjit apo përmes veprimtarisë ekonomikë të lejuar prej tij. Ai gjithashtu krijon mbivendosje me legjislacionin aktual në fuqi duke lënë hapësira që për të njëjtën shkelje, ofruesi i shërbimeve të penalizohet dy herë, nga dy organe të ndryshme.

Marketing