Meta në Samitin e SEECP: Kosova është shtet i pavarur, të trajtohet me respekt!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që po mbahet në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve të vendeve të Europës Juglindore.

Marketing

Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve, presidenti Meta shprehu keqardhje që kryesuesja e radhës së këtij procesi, Republika e Kosovës, nuk është e pranishme në këtë Samit, duke thënë se: “Tashmë është koha e duhur që Bosnja dhe Hercegovina, e jo vetëm, të bëjnë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të realitetit. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj.”

Ndërkohë dy ditë më parë, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj tha se kërkesa e organizatorëve proserbë, që presidenti i Kosovës të mos ftohet si përfaqësues shteti është e papranueshme. Për pasojë, Tirana zyrtare tha se nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje-Hercegovina.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Ministri në Detyrë shkruante të dielën se trajtimi nga organizatorët ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet. Sipas Cakajt nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë.

Marketing