Meta: Uroi që 1 tetori të hapë perspektivë të re të integrimit euroatlantik të Maqedonisë

 

Zbatimi i plotë i ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni duhet të bëhet sa më shpejt në të gjitha nivelet, si shprehje e drejtpërdrejtë e angazhimit për zbatimin e plotë të frymës dhe gërmës së Marrëveshjes së Ohrit.

Marketing

Kështu deklaroi sot, presidenti Ilir Meta në një takim me ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, njofton ATSH.
Presidenti Meta përgëzoi Ministrin Ademi për përparimin që po bën Maqedonia, veçanërisht në çështje kyçe që kërkojnë guxim dhe vendosmëri të madhe politike dhe shtetërore. Ai shprehu bindjen se vazhdimësia e kësaj qasjeje do të hapë perspektiva të reja si për zhvillimin e prosperitetin e Maqedonisë, ashtu edhe në marrëdhëniet në rajon.

Presidenti çmoi bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve tona, me besimin se axhenda e dakordësuar e Pogradecit, do të zbatohet me shpejtësi nga të dy vendet.

Ai theksoi po ashtu se faktori shqiptar në Maqedoni ka mundësinë të rikonfirmojë qasjen e palëkundur integruese, duke u angazhuar me të gjitha energjitë për suksesin e referendumit të 30 shtatorit.

Bashkë me përgëzimet për 27-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë, Presidenti Meta uroi që 1 tetori të hapë një perspektivë të re të integrimit evropian dhe euro-atlantik të Maqedonisë, për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve në këtë vend.

Marketing