Mianmar, rritet në 805 numri i viktimave në protestat kundër grusht shtetit

Është rritur në 805 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj grupeve të armatosura rebele dhe protestuesve që kundërshtojnë grushtin e shtetit ushtarak dhe arrestimin e anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 3 të vdekur, duke rritur në të paktën 805 numrin e viktimave.

Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 4.146 persona dhe se vazhdon të ketë një urdhër arresti për 1.722 persona të tjerë.

Marketing

Kundërshtarët e grushtit të shtetit djegin tankerët e naftës të ushtrisë së Mianmarit

Në anën tjetër, Ushtria e Pavarësisë në Kachin (KIA), një nga grupet e armatosura etnike kundër grushtit të shtetit në rajonin Shan të Mianmarit që ndodhet në kufi me Kinën, njofton se ka ndaluar dhe djegur disa tankerë që kryenin furnizimin me naftë për ushtrinë e Mianmarit.

Naw Bu, zyrtari i informimit për KIA-n ka folur për gazetën “The Irrawaddy”, ku ai u shpreh se sulmin e kanë kryer pasi kanë marrë informacionin se tankerët në fjalë po shkonin në një bazë të ushtrisë në rajon.

Më tej, Naw Bu informoi se kanë djegur gjithsej 5 tankerë dhe se nuk janë dëmtuar drejtuesit e tyre civilë.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.



. .

Marketing