Michael Pompeo në Romë, Papa nuk pranon ta takojë

Sekretari amerikan i Shtetit Michael Pompeo, plot një vit nga vizita e fundit, kthehet në Romë për një tur dyditor pune.

Marketing

Ai ka mbërritur mëngjesin e sotëm në aeroportin Ciampino të Romës i shoqëruar nga stafi i tij.

Mike Pompeo do të takohet me Kryeministrin italinan Giuseppe Conte, dhe me Ministrin e Jashtëm Luigi Di Maio me të cilin do të zhvillojë dhe një konferencë për mediat.

Pandemia globale, panorama gjeopolitike internacionale, raportet transatlantike, Libia, tensionet në Mesdheun Lindor, rrjeti 5G, dosieri kinez me fokusin e marrëdhënieve të Italisë me Kinën dhe ‘Rruga e re e Mëndafshtë’, raporti dypalësh Itali-SHBA; janë temat e axhendës së punës së Mike Pompeo në Romë.

Ai do të marrë pjesë në simpoziumin shkencor “Liria fetare pëmes diplomacisë”, organizuar nga Ambasada Amerikane në Itali si dhe do të vizitojë selinë e komunitetit laik katolik Sant’Egidio në Romë.

Në axhendën e vizitës dy ditore të Mike Pompeo-s ishte parashikuar dhe takimi i tij me Papa Francesku-n por mediat italiane përcjellin lajmin se Ati i Shenjtë nuk ka pranuar të takojë kreun e diplomacisë amerikane pasi në protokollin e tij nuk do që të takojë asnjë lider apo personalitet politik i cili është në një fushatë elektorale.

Mediat italiane kujtojnë se ndoshta në vendimin e Papa Francesku-t është dhe sulmi personal që Mike Pompeo, i cili për llogari të Donald Trump, i bëri pak ditë më parë kreut të Selisë së Shenjtë duke kritikuar vendosjen e raportit mes Kinës e Vatikanit.

Ai shprehet se “dy vite më parë Selia e Shenjtë ka nënshkruar një marrëveshje me Partinë Komuniste Kineze duke shpresuar që të ndihmojë katolikët kinezë, por nga abuzimet e PKK me besimtarët është përkeqësuar. Vatikani do të vendosë në rrezik autoritetin e moralit të tij nëse rinovon këtë marrëveshje.”

Marketing