Mickoski nga Kërçova: Jemi pro BE-së dhe NATO-s por kundër Marrëveshjes me Greqinë

Lideri i partisë më të madhe opozitare, VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickosi theksoi se për çështjet kombëtare siç është referendumi i 30 shtatorit duhet të vendosë populli dhe jo elitat politike.

Marketing

Ndonëse pritej që në marshin protestues në Kërçovë t’i jepte fund dilemës nëse është pro, kundër apo për bojkot të referendumit, Mickoski tha se nuk ka të drejtë t’i përzihet popullit, duke kërkuar që të vendosë me racionalitet, pasi sipas tij, nuk ka kohë e as mundësi për gabime.

Kush është Hristijan Mickoski që t’i tregojë popullit se çfarë duhet të bëjë, të mundohet ta hutojë me truqe të shtrenjta merketingu dhe këshilltarë të huaj të piarit?! Kush ma ka dhënë mua këtë të drejtë?! Në momentin që vendosa të hyja në politikë, me vetëdije zgjodha të bëhem shërbyes i këtij popullit tim dhe ky do të vazhdoj të jem. Nuk mund për çështje nacionale të vendosin elitat politike- tha Hristijan Mickoski, VMRO DPMNE.

Në skenën ku pos flamurit shtetëror dhe partiak ishte vendosur edhe flamuri evropian, Mickoski deklaroi se është pro BE-së dhe NATO-s por kundër Marrëveshjes me Greqinë. Ai tha se Marrëveshja është e dëmshme për vendin dhe identitetin. Ndërsa akuzoi Qeverinë se po manipulon me ndjenjat pro-evropiane të qytetarëve, se po përpiqet ta mbulojë krimin me gënjeshtra për të ardhmen.

Ka një dilemë dhe gjithmonë më pyesin kudo që të shkoj, a jeni për BE dhe NATO. Po, ja po iu përgjigjem, edhe për BE edhe për NATO. Por jemi ashpër kundër kësaj marrëveshjeje kapitulluese Cipras-Zaev dhe kjo është e drejta dhe detyra jonë. Pse jemi kundër?! Sepse e dëmton identitetin tonë dhe është kundër parimeve tona. Harrojeni atë! Asnjëherë nuk do të pajtohemi- theksoi ai.

Mickoski disa herë tha se ka plan dhe vizion të qartë, se vetëm VMRO DPMNE-ja mund të jetë bartëse e proceseve progresive dhe porositi qytetarët që të fokusohen në mirëqenien ekonomike kur të vendosin për Qeverinë e ardhshme. Fjalimin lideri i opozitës e përmbylli me një citat që përfundon me fjalët “Nëse ju tradhtoj, më vrisni!”