Gjatë javës së ardhshme trupat partiakë të VMRO-DPMNE-së do të kenë takim dhe do të sillet qëndrimi përfundimtar për referendumin, theksoi pasdite lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Ambasadën e Gjermanisë në Shkup.

Ai tha se takimi ka kaluar në atmosferë jashtëzakonisht miqësore midis dy partive simotra, të cilat janë pjesë e Partisë Evropiane Popullore dhe se e ka njoftuar kancelaren Merkel për gjendjen aktuale politike në shtet dhe se theksi kryesor është vendosur në referendumin e ardhshëm më 30 shtator.

“Në takim i theksova pozitat që VMRO-DPMNE i pati në periudhën e kaluar, gjegjësisht se pse VMRO-DPMNE nuk mund ta pranojë këtë marrëveshje dhe se nuk pajtohet me përmbajtjen e marrëveshjes. I përsëritëm pozitat e njëjta dhe e informuam kancelaren Merkel për aksionin tonë në kuadër të së ashtuquajturës “Vera për Maqedoninë”, deklaroi Mickoski.

Ai nuk deshi të komentojë se cili ka qenë mesazhi të cilin ia ka bartur kancelarja Merkel, duke sqaruar se nuk është e ndershme ta transmetojë atë që personalisht i është thënë.
I pyetur nëse VMRO-DPMNE do ta prolongojë afatin për prononcim për referendumin, Mickoski tha se në përgjithësi janë prononcuar në mënyrë precize dhe shtoi se partia do ta marrë navigacionin e domosdoshëm prej qytetarëve.