Mickoski: Qeveria nuk i merr parasysh rekomandimet tona

Qeveria ka refuzuar të shqyrtojë propozimin e VMRO-DPMNE-së për subvencione deri 50% në bazë të pagës bruto, apo deri më 27 mijë denarë për të punësuar, thonë nga partia më e madhe opozitare. Kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski tha se nuk është koha për politikë, por për shpëtim të ekonomisë, andaj ftoi qeverinë që të merr parasysh propozimet e partisë së tij.

Marketing

“Kryeministri teknik Oliver Spasovski nuk na lejoi që të vihet në rend dite në qeveri dhe të shqyrtohet propozimi ynë. Me atë qeveria privon kompanitë dhe të punësuarit nga subvencione deri 50% për pagën bruto për të punësuar apo ndihmë në të holla deri më 27 mijë denarë për të punësuar. Me atë në mënyrë të drejtpërdrejtë për muajt mars, prill dhe maj në ekonomi shteti do të injektonte më shumë se 350 milion euro” – tha Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Por nga LSDM thonë se propozimi i VMRO-DPMNE-së përfshin dyfish më pak ndihma se sa masat e qeverisë. Nga LSDM thonë se përmes masave të miratuara nga Qeveria do të ndihmohen të gjithë, përderisa VMRO propozon masa selektive, me të cilat do të ndihmoheshin vetëm ato që kanë paga më të larta.

“Është i dukshëm dallimi mes masave të ndërmarra nga Qeveria të cilat sigurojnë mbështetje mujore prej 60 milion eurove dhe propozimeve të VMRO-DPMNE-së me mbështetje të turpshme për pothuajse 50% më pak nga ajo që ne kemi siguruar. Modeli i propozuar nga VMRO-DPMNE dhe kategorizimi i bizneseve në bazë të nivelit të dëmeve të shkaktuara, qartazi i vendos në pozitë të më të volitshme të gjithë vendet më mirë të paguara, për dallim me vendet më pak të paguara. Kjo qytetarë të nderuar do të thotë më pak përfshirje dhe më pak vende të sigurta të punës. Sepse me më pak mbështetje, kompanitë kanë tendencë të heqin dorë nga punëtorët më lehtë” – tha Fatmir Bytyqi nga LSDM.

Qeveria ditë më parë ka miratuar pakon e dytë ekonomike përmes së cilës kompanitë private që janë goditur nga kriza për muajt prill dhe maj do t’iu ndihmohet me 14.500 denar për punëtor, kurse si masë alternative është subvencionimi me 50% i kontributeve për punonjësit në ndërmarrjet private.

Pjesë e masave është shkurtimi i pagave për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar.

Marketing