Mickoski: Zaevi dhe LSDM janë armiqtë më të mëdhenj të drejtësisë

Me parullën “Poshtë mafia, drejtësi tani”, sonte VMRO – DPMNE mbajti protestë të re siç thonë ata, kundër padrejtësive, revanshizmit dhe dhunës politike. Marshi i udhëhequr nga lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski filloi para Ministrisë së Drejtësisë dhe përfundoi para ndërtesës së Prokurorisë publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ku u dërguan porosi deri te qeveria.

Marketing

Mickoski në paraqitjen në protestë tha se katër vite shohin vetëm padrejtësi, ndërsa dëshmi më e mirë për këtë, siç tha ai, “është se për katër vjet asnjë ministër, asnjë drejtor ende nuk është përgjigjur për abuzim ose krim. Ai e ka kritikuar Prokurorinë se “nuk vepron në rastin kur në shtet mbyllet bankë prej 200 milion eurosh ose për atë se me para panamaeze në Tetovë, blihet truall”.

“Gordana Jankullovskën e dërguan në burg për mercedesin, ndërsa mercedesin e ngasin vetë. Nuk mund të ketë sundim të së drejtës derisa nuk i bëhet ekspertizë telefonit të Bojan Jovanovskit në rastin ‘Reket’, nuk mund të ketë sundim të së drejtës derisa nuk zbardhet ‘Reket 2’. Neve na duhet drejtësi për njeriun e zakonshëm. Zaevi dhe LSDM janë armiqtë më të mëdhenj të drejtësisë. Sulmet më të mëdha ndaj meje janë sepse nuk kam rënë dakord”, tha Mickoski.

Ai edhe një herë e përsëriti qëndrimin se opozita duhet ta propozojë prokurorin e ardhshëm publik dhe theksoi se Zaevi ikën nga kjo çështje.

Në protestën e parë të këtillë për drejtësi të organizuar nga VMRO-DPMNE, Mickoski kërkoi nga kryeministri Zoran Zaev të mbajë fjalën dhe të mundësojë propozimin për prokurorin publik të japë opozita, ashtu siç kërkoi në kohën kur ishte në opozitë. Por, të nesërmen ai mori përgjigje nga ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq i cili theksoi se vërtetë kishte propozim nga LSDM për një gjë të tillë, por VMRO-DPMNE-ja opozitare i lëshoi negociatat. Sipas tij, tani nuk është koha për ndryshim të Kushtetutës, pra ata si pushtet kanë prioritete tjera sa i përket sundimit të ligjit.

Marketing