Kostandin Bogdanov, anëtarë i Komitetit Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, në intervistë për “Faktor” thotë se do të votojë në referendum, njofton Portalb.mk.

“Unë që në takimin e Komitetit Ekzekutiv e kam deklaruar qëndrimin tim se partia duhet që t’i ftojë anëtarët masivisht të votojnë në referendum dhe të votojnë në pajtueshmëri me bindjen e tyre “për” ose “kundër” Marrëveshjes. Unë personalisht do të dal të votoj”, thotë Bogdanov.

“Duhet që ta kemi parasysh rëndësinë historike të këtij referendumi, dhe padyshim se hapë perspektivë të re për të gjithë neve që jetojmë këtu. Ngelen edhe dhjetëra ditë, porositë e miqve tanë dhe partive simotër i dëgjuam. I dëgjuam edhe argumentet kundër Marrëveshjes. Për fat të keq, ende dikush nuk ka arritur që të ofrojë alternativë serioze dhe reale për vetë Marrëveshje, por as që ka arritur që të ofrojë alternativë përkatëse të anëtarësim në BE dhe NATO. Nëse ngelet kështu edhe në periudhën në vijim, thjeshtë nuk do të ketë opsion përveç që të përkrahet Marrëveshje me të gjitha koncesionet e bëra nga ana e Maqedonisë”, thotë ai.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.