Kryetari i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis nga foltorja parlamentare drejtoi kritika të ashpra dhe akuza drejt koalicionit qeveritar grek, gjatë debatit në Kuvend për propozim ligjin për vetëqeverisje lokale.

Lideri i partisë më të madhe opozitare greke tha se “në Bruksel, Cipras dhe Kamenos, në esencë, Shkupit ia dorëzojnë pasaportën e NATO-s, pasi para tre javësh i dhanë identitetin dhe gjuhën maqedonase”.

Në fjalimin Micotakis e citoi kryeministrin e Maqedonisë nga intervista e dhënë për Bi-Bi-Si. “Grekëve ua dhamë erga omnes emrin Maqedonia e Veriut, ndërsa ne fituam erga omnes identitet maqedonas, tha fjalë për fjale, z.Zaev në intervistën për Bi-Bi-Si. Përsëris, fjalë për fjalë. Unë ju them, ju jeni erga omnes të rrezikshëm për interesat e vendit. Dhe ndaluni së referuari atij argumenti qesharak se kinse kemi dhënë shtetësinë, dhe jo kombësinë. Tregoni një vend në botë ku të gjithë banorët e saj do të kenë kombësi dhe shtetësi të ndryshme. Shkupjanëve ua dhatë përcaktuesin kombëtar “maqedonas”, diçka që e kanë përjashtuar të gjitha qeveritë greke në 27 vitet e kaluara”, tha Micotakis.

Lideri i Demokracisë së Re, e komentoi edhe qëndrimin e partnerit të koalicionit në qeveri – Grekët e Pavarur, duke thënë se në Bruksel në praktikë janë pajtuar për Marrëveshje, “që në fjalë e dënojnë dhe thonë se në të ardhmen do të shkatërrojnë qeverinë”, përcjellë korrespondentja e MIA-s nga Athina.