Për problemet dhe pyetjet më të rëndësishme në 10 sfera, të parashtruara nga 10 gazetarë të akredituar në 10 ministri greke foli kryetari i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis në intervistën e mbrëmshme për televizionin grek Alfa, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Gazetarja e cila e ndjek politikën e jashtme, nga Micotakisi kërkoi qëndrim në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, ndërsa lideri i partisë më të madhe opozitare dhe sipas gjitha gjasave kryeministër ri i Greqisë, tha se kjo marrëveshje nuk mundet të shfuqizohet njëanshëm.

“Vlerësimi im është se një marrëveshje ndërkombëtare, e ratifikuar nga Parlamenti grek nuk shfuqizohet njëanshëm. Nëse e lexoni marrëveshjen, vetë marrëveshja nuk len hapësirë për shfuqizim të njëanshëm. Për këtë isha shumë i sinqertë me popullin grek në Parlament dhe të gjithë deputetët i vendosa para përgjegjësisë së tyre. U thashë keni kujdes se çka bëni sepse kjo marrëveshje, nëse ratifikohet, shumë rëndë do të ndryshohet në të ardhmen. Për fat të keq marrëveshja ishte ratifikuar”, tha Micotakis dhe shtoi se tani, ata janë ftuar që t’i “mbledhin mbetjet”, gjegjësisht siç tha “qindra biznese në Greqinë e Veriut të cilat e mbajnë emrin Maqedonia ose e përdorin mbiemrin “maqedonase/a/i” ndjehen të pambrojtur”.

Micotakisi edhe një herë e përmendi qëllimin e tyre që të zbatojnë fushatë të madhe ndërkombëtare për “Maqedoni të vërtetë greke”.

“Tani tashmë kemi një Maqedoni të Veriut, e cila ka maqedonas të pranuar në marrëveshje, të cilët e flasin gjuhën maqedonase dhe e kemi Maqedoninë greke, ndërsa një qytetar i huaj me të drejtë ndjehet i hutuar. Do të mësojë qytetari i huaj se kur flasim për Maqedoninë, puna e parë që i vie në mend është Maqedonia greke, kultura jonë klasike”, tha lideri i Demokracisë së Re.

Micotakisi e përsëriti edhe qëndrimin e tij se pas Marrëveshjes së Prespës fshihet ndonjë zëvendësim, ndërsa këtë pohim të tij e mbështeti me një pjesë të publikuar në librin “Blofi i fundit” dedikuar ngjarjeve nga viti 2015, për dy gazetaret – korrespondente nga Brukseli, Eleni Varvicioti dhe Viktoria Dendrinu.

“E kisha dëgjuar këtë, por këtë herë është regjistruar dhe duhet ta parashtroj në dialogun publik. Në librin e Dendrinu dhe Varvicioti shkruan se zotëri Junker në vitin 2015 i ka thënë zotëri Ciprasit “ne do të ndihmojmë tani në ekonomi, por dëshirojmë që të na e zgjidhësh çështjen e Shkupit”. Kjo është shënuar zyrtarisht në një libër shumë serioz. E thotë zotëri Junker, nuk e dëgjova askënd deri më tani që ta demantojë këtë dhe len aludime se zotëri Ciprasi mori diçka si kompensim për Marrëveshjen e Prespës”, tha Micotakis.

Në pjesën e dedikuar për politikën e jashtme dhe Marrëveshjen e Prespës në intervistën për TV Alfa, lideri i Demokracisë së Re theksoi se “historia shkroi se Kostas Karamanlis tha “jo” në Bukuresht, duke kërcënuar me veto, aty ku Aleksis Cipras tha “po”, duke shtuar se edhe pesë kryeministra grekë në të kaluarën nuk janë pajtuar me marrëveshje që ” fqinjëve t’u jepet gjuha maqedonase dhe kombi maqedonas”.

Kryetari i Demokracisë së Re, në intervistën e mbrëmshme, përveç për politikën e jashtme u përgjigj në pyetjet në lidhje me ekonominë, shëndetësinë, gjyqësorin, mbrojtjen kombëtare, arsim etj.

evn