Mihal Kokëdhima mbetet në burg

Gjykata e Apelit të Vlorës ka lënë në burg Mihal Kokëdhimën, duke rrëzuar kërkesën e 55-vjeçarit për një zbutje të masës së sigurisë.

Marketing

Në seancën e zhvilluar sot, Kokëdhima, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për shkatërrim të pronës, dëmtim me dashje si dhe kanosje kërkoi që masa e sigurisë ndaj tij të zbutet nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Ai akuzohet për sulmin ndaj një familje turistësh spanjollë, të cilët ishin ulur për drekë në ish-restorantin e Kokëdhimës në Qeparo.

Vetë Kokëdhima ka mohuar akuzat duke thënë se ishin turistët spanjollë ata të cilët i rrezikuan jetën dhe e morën zvarrë me makinë për afro 3 km.

Sipas hetimit të realizuar nga Prokuroria rezulton se turistët pasi u larguan nga lokali, u ndoqën dhe u dhunuan nga pronari i biznesit, i cili u hodh mbi kofanon e automjetit me të cilin turistët dhe guida shqiptare po udhëtonin drejt Sarandës.

Prokuroria në saje të provave të mbledhura kërkoi mos ndryshimin e masës së sigurisë, kërkesë kjo që u pranua nga trupa gjykuese e Apelit të Vlorës.

Marketing