Milani në kërkim të lavdisë, por Gazidis nuk jep paga mbi 3 mln euro në sezon

Milani është në fazën e një transformimi të thellë, ku për momentin administratori Ivan Gazidis ka zgjedhur vetëm drejtorin teknik, që është Paolo Maldini, ndërsa për drejtorin sportiv po punohet ende. Emri kryesor në listë ishte ai i Igli Tares, por shqiptari vështirë se mund të largohet nga Lacio, ndërsa dyshja Maldini-Gazidis po studiojnë edhe alternativa të tjera si Rui Kosta apo Ariedo Braida. Hapi i radhës është emërimi i trajnerit, që me gjasë do të jetë ai i Sampdorias, Marko Xhiampaolo, i cili pëlqehet si nga Gazidis, ashtu edhe nga Maldini, ndërsa në Itali pretendojnë se marrëveshja mes palëve është arritur tashmë. Aktualisht Milani është liruar nga emra si Zapata, Abate, Montolivo e Bertolaci, ndërsa ka refuzuar blerjen e Bakajoko, duke ulur kështu zërin e pagave në bilancin e klubit, ndërsa hapi i radhës do të jetë merkatoja në dalje. Kështu Xhixhi Donaruma ndiqet me interes nga PSG dhe Gazidis do të ishte pro një marrëveshjeje nga e cila Milani mund të arkëtojë rreth 60 mln euro dhe njëkohësisht të lirohet nga paga 6 milionëshe e portierit dhe një milionëshe e të vëllait të tij. Një tjetër futbollist që mund të lërë kuqezinjtë këtë verë, është spanjolli Suso, i cili vështirë se mund të gjejë veten në skemën e Xhiampaolos, pasi është një sulmues anësor. Edhe ky mund të përmirësonte bilancin e kuqezinjve, pasi vlera e kartonit të tij është rreth 40 milionë euro. Emra të tjerë në listën dalëse janë argjentinasi Bilia, i cili fiton shumë dhe ka një moshë relativisht të madhe, uruguajani Laksalt, spanjolli Kastillejo, kroati Strinic, Hoze Mauri e portugezi Andre Silva, të gjithë jashtë planeve të trajnerit të ri. Nga skuadra aktuale pritet të shpëtojnë portieri Pepe Reina, qendërmbrojtësit Romanjoli, Kaldara e Musakio, anësorët Kalabria, Konti e Rodriguez, mesfushorët Calhanoglu, Bonaventura, Kesie e Paketa, si dhe sulmuesit Kutrone e Piatek. Sa u përket afrimeve, kushti i parë dhe i panegociueshëm i Gazidis është që të vijnë futbollistë me pagë më pak se 3 milionë euro. Kriteri tjetër është ai i moshës, pasi vëmendja do të përqendrohet kryesisht te futbollistët nën 25 vjeç, që garantojnë të tashmen dhe të ardhmen. Pas largimeve të Montolivos, Bertolacit dhe Bakajokos, por edhe më një ikje të mundshme të Biglias, Milani ka nevojë për një futbollist që të luajë përpara mbrojtjes dhe në fokusin e kuqezinjve janë mesfushori i Sasuolos, Sensi dhe ai i Breshias Tonali. Në sulm tekniku Xhiampaolo dëshiron Patrik Shik, të cilin e ka stërvitur edhe te Sampdoria, në vitin e parë të çekut në Itali, ndërsa kuqezinjtë kanë hedhur idenë e një shkëmbimi me portugezin Andre Silva, i cili nuk bën pjesë në planet e milanezëve. Të gjitha këto lëvizje, drejtuesit e Milanit duhet t’i bëjnë duke filluar nga tani e deri në startin e sezonit të ardhshëm, për të tentuar të stabilizojnë gjendjen sportive dhe financiare të skuadrës, që ka kaluar shumë peripeci vitet e fundit. Kushti për të mos dhënë paga mbi 3 mln euro në sezon është një “pengesë” për objektiva madhorë, por kjo shihet në planet afatgjata të klubit dhe vëmendjen ndaj të rinjve e lojtarëve punëtorë.

Marketing