Pesë gola në tri ndeshje, katër prej të cilëve u shënuan në dy ndeshje të kampionatit. Zlatan Ibrahimoviqi edhe një herë po dëshmon se, megjithëse ka kaluar 39 pranvera, jo vetëm që është i vlefshëm, por konsiderohet ndër më të fortët në Serinë A, sot. Numrat dhe performancat e tij nuk janë më të habitshme dhe në Milano jo vetëm që e shijojnë formën e Ibrës, por po mendojnë që tani për të ardhmen, pra për ta pasur më gjatë.

Diskutimet e fundsezonit të kaluar dhe zërat e shumtë që e donin jashtë projektit teknik tani janë vetëm një kujtim. Vendimi i klubit për të vazhduar me Stefano Piolin ka çuar në zgjatjen e përvojës së gjigantit suedez te “Djalli”. Te kuqezinjtë Ibra po dëshmon se është shumë më tepër sesa thjesht një lider në dhomën e zhveshjes.

Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Milani ka filluar të planifikojë një të ardhme që ende e sheh Ibrahimovicin në Milano. Të flasësh për rinovimin është e parakohshme, pasi jemi në tetor, por është e qartë se mendimi për t’u ulur në tryezë për të zgjatur kontratën e tij edhe një vit është real.

Vetë kampioni suedez e di se është figurë qendrore në ekip, siç ndoshta nuk i ka ndodhur kurrë më parë dhe i pëlqen shumë kjo ndjenjë. Në rast të kthimit në Champions, Milani nuk mund ta injoronte Ibrën dhe rinovimi do të bëhej diçka e përshtatshme për të gjithë, mbase edhe i shoqëruar nga premtimi për një rol tjetër në klub në të ardhmen.

Do të ketë kohë për të folur në lidhje me kontratën të re, ndërkohë mundësia që “ylli” suedez të festojë ditëlindjen e tij të 40-të me fanellën kuqezi po bëhet gjithnjë e më konkrete.