Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë përshkallëzimin midis Palestinës dhe Izraelit

Ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) do të takohen të martën për të diskutuar përshkallëzimin e situatës midis Palestinës dhe Izraelit pas “rritjes së papranueshme të numrit viktimave civile”, tha kryediplomati i bllokut, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Si rezultat i përshkallëzimit të vazhdueshëm midis Izraelit dhe Palestinës dhe numrit të papranueshëm të viktimave civile, unë thërras një video-konferencë të jashtëzakonshme të Ministrave të Jashtëm të BE-së të martën”, shkroi shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell në Twitter.

“Ne do të koordinojmë dhe diskutojmë se si BE-ja mund të kontribuojë më së miri për t’i dhënë fund dhunës aktuale”, theksoi ai.

Marketing

Tensionet kanë qenë të larta në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor dhe në Xhaminë Al-Aksa dhe Portën e Damaskut që nga fillimi i muajit të bekuar musliman të Ramazanit pasi forcat izraelite dhe kolonët sulmuan palestinezët.

Tensionet u përhapën nga Kudsi i Lindor i okupuar në Gaza pasi grupet palestineze të rezistencës u zotuan të hakmerren për sulmet izraelite nëse ato nuk ndaleshin.

Numri i të vdekurve në sulmet izraelite, përfshirë sulmet ajrore që nga 10 maji, është rritur në 181, përfshirë 52 fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.



. .