Fakulteti i Makinerisë në Shkup sot ka promovuar gjeneratën e re të të diplomuarve, kurse në ceremoninë e ndarjes së diplomave ka marrë pjesë dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Ai i ka përgëzuar inxhinierët e rinj për njohuritë dhe aftësitë e fituara, të cilat, siç tha, beson se do t’u ndihmojnë shumë në sigurimin e një pune adekuate në një kohë sa më të shkurtër.

“Studentët që mbarojnë arsimin e tyre në Fakultetin e Makinerisë në Shkup nuk marrin vetëm diploma me nota, por ata dalin nga ky fakultet me njohuri, aftësi dhe kompetenca që janë konkurrues në tregun e punës jo vetëm në Republikën e Maqedonisë, por edhe jashtë vendit”, potencoi Ademi, duke shtuar se investimi në njohuri është vendimi i duhur dhe baza për sukses në nivel personal dhe profesional.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës ka falënderuar udhëheqësinë dhe stafin mësimdhënës të këtij fakulteti për krijimin e stafit cilësor që nevojitet për lëvizjen e proceseve shoqërore-ekonomike dhe u uroi atyre të vazhdonin suksesin e tyre në veprimtarinë arsimore dhe shkencore.