Ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi ka vizituar sot Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, ku është takuar me drejtuesit e këtij institucioni të arsimit të lartë, stafin akademik, personelin teknik si dhe studentët.

Me këtë rast, ai ka premtuar mbështetje institucionale si për këtë universitet ashtu edhe në përgjithësi për institucionet e arsimit te lartë në Maqedoni. E sa i përket UNT-së si institucion i ri i arsimit të lartë, angazhime e MASH-it, sikurse njoftoi ministri, janë maksimale për të ndihmuar zhvillimin e këtij universiteti me programe të reja studimore, konsolidimin administrativ si dhe për sigurimin e hapësirave të reja për nevojat e UNT-së dhe në të cilat do të mund të bëhet adaptimi i objekteve të universitetit.

“Sa herë gjendem në mesin e studentëve dhe kam rastin të bashkëbisedojë me kolegë të thellës akademike ndjehem i entuziazmuar dhe i inkurajuar që të vazhdojmë me përpjekjet e përbashkëta për sendërtimin e vlerave akademike. Por, prezenca ime këtu në Shkup, në universitetin i cili i kishte munguar kryeqytetit prej shumë dekadash, më ngarkon me një përgjegjësi të veçantë”, tha ministri Ademi.

Prandaj, plotësoi më tej ai, duhet që të gjithë të moblizojmë forcat dhe të punojmë për një qëllim të përbashkët dhe “ky është arsimimi i të rinjve me dije dhe shkathtësi të cilat do t’ju sigurojnë jo vetëm qasje të lehtë në tregun e punës por që në të njëjtën kohë do t’ju hapin horizonte të reja për zhvillimin e shkencës dhe promovimin e ideve inovatore” , nënvizoi ministri Ademi.

Vizita e ministrit Ademi në UNT koiçidoi me ditën e parë të dorëzimit të dokumenteve për regjistrim në vitin akademik 2018/2019, ndërsa vjen pas një sërë angazhimeve që janë bërë nga ana e Qeverisë dhe MASH-it në drejtim të konsolidimit dhe zgjerimit të këtij institucioni si në aspektin akademik ashtu edhe në rrafshin infrastrukturor.

Për këtë qëllim, për vitin akademik 2018/2019 u mundësua zgjerimi i UNT-së me katër programe të reja studimore të nivelit deri diplomik (Dogana shpedicion dhe sigurime, Programim i aplikuar, Agroinzhineria dhe Dizajn dhe modelim i tekstilit) si dhe gjashtë programe studimore për ciklin e dytë (Inxhineri ekonomike dhe menaxhment, Media dhe studime interkulturore, Punë dhe politikë sociale, Sport dhe shkenca sportive, Inxhineri softuerike e aplikuar në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze).

Për nevojat e administratës së UNT-së janë siguruar lejet për hapjen e vendeve të reja të punës, ndërsa tre kazerma “Ilinden” janë siguruar parcela dhe te reja dhe objekte që së shpejti do të adaptohen në godina për nevojat e universitetit.