Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bektashi qëndroi sot në Dibër, ku u takua me kryetarin e komunës së Dibrës zotëri Ruzhdi Lata dhe vizitoi qendrën “Slajs” dhe “Banjat e Dibrës – Capa”. Në këtë takim u diskutua mbi investimet aktuale të realizuara në këtë komunë, mundësitë që i ofron Dibra, si dhe përfitimet e Qeverisë për tërheqjen e investimeve.

Bekteshi theksoi se Ministria e Ekonomisë është e përfshirë në mënyrë aktive në realizimin e projekteve dhe të programeve me të cilat zhvillohet aktiviteti ekonomik në vendin tonë, duke shtuar se një nga projektet më të rëndësishme është implementimi i Planit për zhvillimin ekonomik.

Duke u përqëndruar në masat nga Plani për zhvillimin ekonomik, ministri informoi se një nga qëlllimet e konceptit të përgjithshëm për stimulimin e investimeve është stimulimi i kompanive të vendit për të përvetësuar teknologjitë e reja në proceset e tyre prodhuese dhe për të ndërtuar kapacitete për zhvillimin e marrëdhënieve afariste me kompanitë e huaja si dhe të fillojnë të mendojnë për gjetjen e tregjeve të reja jashtë Maqedonisë.

Bekteshi shprehu kënaqësi të madhe se është mysafir i Dibrës dhe i kompanisë “Slajs”, e cila përveç që gjendet në Dibër është e vendosur edhe në Ohër, duke e theksuar si shembull jo vetëm për Dibër, por edhe për tërë Maqedoninë.

„Kjo kompani ka rëndësi të veçantë për të rinjtë të cilët e sigurojnë ekzistencën e tyre, këtu në qytetin e e tyre të lindjes. Shpresoj se duke pasur parasysh klimën e volitshme të biznesit në Republikën e Maqedonisë, përveç në Dibër e në Ohër, “Slajs” do të zgjerohet edhe në qytete të tjera të vendit. Udhëheqësinë e njoftova lidhur me përfitimet e Qeverisë, sidomos me përfitimin që u jepen kompanive të formuara nga gurbetxhinjtë, të cilët Qeveria i ka ndihmuar për 10% më shumë se çdo kompani vendase apo të huaj, tha ministri Bekteshi.

Kryetari i komunës theksoi se Dibra është qyteti më i sigurt, ku nuk janë vërejtur ndodhi negative, gjë që sipas tij është një garanci për të investuar më shumë këtu.

“Ministrin, vizita e të cilit është një nder i veçantë, e kam informuar lidhur me mundësitë që disponon komuna për të tërheqë investimet si të huaja ashtu edhe vendase si dhe për suksesin e investimeve të deritashme, të cilat kontribuojnë në reduktimin e papunësisë, siç është edhe kompania”Slajs “, tha Lata.

Njeriu i parë i qendrës së thirrjeve Butrint Selja informoi se që nga fillimi i vitit janë realizuar 56 punësime të reja, ku momentalisht 170, respektivisht 165 punëtorë janë të punësuar në Dibër dhe Ohër, mosha mesatare e punëtorëve është 27 vjet dhe paga mesatare është 27,000 denarë. Ai e theksoi bashkëpunimin e mirë me të gjitha institucionet në komunë, veçanërisht me qeverinë lokale.

Ministri Bekteshi vizitoi edhe ” Banjën e DibrësCapa” dhe kompaninë e mirënjohur gjermane “Knauf” që janë një shembull pozitiv i investimeve të suksesshme vendore..