Ministri i bujqësisë, Hoxha, raport për 100 ditët e para të punës

Ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha, ka bërë përmbledhjen e punës në krye të Ministrisë së Bujqësisë brenda 100-ditëshit të parë. Sipas ministrit Hoxha, bujqësia ka një rëndësi të veçantë në jetën shoqërore të çdo shoqërie, e kjo doli në pah sidomos tani gjatë kohës së pandemisë, kur e gjithë bota u paralizua në të gjitha sferat, ndërsa prodhimet bujqësore dhe ushqimi erdhën në shprehje.
“Kriza e Koronës prishi tregun e rrushit dhe të verës në nivel botëror, por edhe në vendin tonë. Një nga të arriturat më të mëdha në 100 ditët e para në këtë detyrë është edhe fillimi i procedurës së tenderimit për digën e Sllupçanit, mjetet për këtë projekt janë siguruar, kurse investimi do të duhet të realizohet brenda 4 viteve dhe kap një vlerë totale prej 22 milion euro. Më 2 dhjetor në Strugë nënshkruam për menaxhim të përbashkët e të qëndrueshëm të peshkimit të liqenit të Ohrit dhe të Prespës midis Republikës së Shqipërisë dhe RMV-së. Bujqësinë dhe zhvillimin rural do ta përkrahim me mbështetje financiare vjetore prej 150 milion eurove.”,- deklaroi ministri i bujqësisë, Arjanit Hoxha.
Sipas ministrit Hoxha, përparimi i ekonomisë, i bujqësisë dhe i zhvillimit rural janë një nga kriteret kryesore të vendit për anëtarësim në BE, vitin e ardhshëm, sipas tij, do të vazhdojë Qeveria t’i mbështet deri më 20 mijë euro fermerët e rinj apo gjithsej 3,1 milion euro, por do të vazhdojë dhe mbështetja për gratë fermere që do të dyfishohet nga 3000 në 6000 euro, dhe masat për vajin e gjelbër. Hoxha po ashtu theksoi se Ministria e Bujqësisë do të vazhdojë procesin e konsolidimit të tokave bujqësore dhe se do të vazhdojnë investimet kapitale për sigurimin e ujit të pijshëm dhe ujit për ujitjen e tokave bujqësore.
Marketing