Ministri Nuredini: Të ndërgjegjësohemi për ambient më të pastër

Protestat e të rinjve nëpërmjet “Frontit të gjelbër”, që këtë vit u realizuan disa herë para Ministrisë së Ambientit dhe Qeverisë, e që janë paralajmëruar edhe për të premten, me kërkesën për ajër të pastër, janë të arsyeshme, thotë ministri i ambientit, Naser Nuredini. Por, në brifingun e fundvitit me gazetarët, ministri i ambientit po ashtu kërkoi që edhe qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm për ndikimin që kanë në ndotjen e ajrit, qoftë nëpërmjet lëndëve për ngrohje, lëndëve që shfrytëzojnë veturat e tyre, ndezja e zjarreve në ambiente të hapura, apo shprehitë tjera që dëmtojnë cilësinë e ajrit dhe ambientin jetësor në përgjithësi.

Marketing

Nuredini thotë se autoritetet po ndërmarrin një sërë masash për uljen e ndotjes, përfshirë edhe rritjen e kontrollit të ndotësve nëpërmjet inspektimeve më të shpeshta. Rol të madh për kontrollin e ndotësve dhe ruajtjen e ambientit ka edhe bashkëpunimi me pushtetin lokal dhe policinë, thotë ministri. Ai po ashtu paralajmëron se së shpejti do të rregullohet rrjeti i gazifikimit që Spitali i Gjinekologjisë në Çair të përdor gazin si lëndë për ngrohje, ashtu si edhe spitali i Kumanovës dhe spitalet e institucione tjera.

Ministri Nuredini paralajmëron se në pranverë do të largohen edhe mbetjet helmuese nga kompania “Ohis”, të cilat do të dërgohen për shkatërrim në Zvicër. Për seriozitetin e pasojave që shkakton ndotja e lartë e ajrit në shëndetin e njeriut flasin të dhënat e sektorit joqeveritar, sipas të cilave ndotja ka qenë shkaktar për vdekjen e 17 mijë njerëzve në 5 vitet e fundit.

Marketing