Ministri Osmani për vizitë në Çeki

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot do të qëndrojë për vizitë pune në Çeki si pjesë e misionit dhe turnesë diplomatike të vendeve nga fqinjësia më e gjerë e Ballkanit Perëndimor ku në ditët në vijim do të vizitojë edhe Rumaninë, Hungarinë dhe Austrinë.

Marketing

Siç ka njoftuar Ministria e Jashtme, vizitat e Osmanit në këto vende vijnë menjëherë pas takimeve të mbajtura dhe Këshillave të BE-së me qëllim të riafirmohet mbështetja për perspektivën evropiane të vendit.

“Në agjendën e bisedimeve do të gjenden edhe çështje të marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë të bashkëpunimit në plan ekonomik dhe tregtar, ndërkaq, do të shqyrtohen edhe shumë tema aktuale të lidhura me bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe organizatat ndërkombëtare, situatat më të reja në rajon, si dhe aktualitete tjera nga politika ndërkombëtare”, theksohet në kumtesën e MPJ-së.

Osmani sot në Pragë do të ketë takim me ministrin për Punë të Jashtme, Tomash Petriçek, ndërsa do të takohet edhe me Milena Hërdinkovën, sekretare shtetërore për çështje të BE-së në Zyrën e kryeministrit Andrej Babish.

Shefi i diplomacisë nesër udhëton drejt Rumanisë në takim me homologun dhe nikoqirin, ministrin e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Bogdan Auresku, ndërsa do të takohet dhe me kryeministrin e përkohshëm rumun, Nikolae Çuka.

Të enjten Osmani do të vizitojë Hungarinë ku do të realizojë takim me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Sijarto. Gjatë kohës së qëndrimit në Budapest, Osmani do të realizojë takime edhe me këshilltarët për politikë të jashtme të kryeministrit hungarez Orban: Janosh Bala dhe Janosh Mate.

Më 21 dhjetor Osmani do të udhëtojë për në Vjenë, ku edhe do ta rrumbullakojë mini-turneun, në takim me kolegun e tij, Aleksandar Shallenberg, ndërsa parashihet takim edhe me ministren për Evropë në kuadër të kabinetit të Kancelarit të Republikës së Austrisë, Karoline Edtshtadler.