MASH,reagim lidhur me ngjarjen në SHF “Mustafa Kemal Ataturk” në Gostivar

Politika është e papranueshme në procesin arsimor, sepse e pamundëson këtë proces që t’i arrijë qëllimet themelore për të cilat organizohet – përvetësimi i diturive cilësore dhe edukimi i nxënësve në përputhje me vlerat themelore shoqërore dhe njerëzore dhe normat morale dhe etike.
Ndaj, rregullativa ligjore gjithmonë ka ndaluar organizimin dhe veprimin politik në shkolla, dhe i sanksionon në mënyrë adekuate.
E njëjta është edhe në Ligjin e fundit të ri për arsimin fillor, ku kjo çështje është rregulluar në nenin 9, me qëllim që të mbrohen nxënësit nga ndikimet që mund të dëmtojnë vetëm interesat e tyre më të mira gjersa janë në shkollë.
Në këtë kontekst dhe, në përputhje me informacionet e plasuara në opinion, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i dënon aktivitetet që janë organizuar në shkollën fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në Gostivar dhe në të cilat janë përfshirë nxënës, dhe që në këto aktivitete është dërguar mesazh politik për mbështetjen e aksioneve ushtarake të një shteti të caktuar.
Ky veprim është absolutisht i papranueshëm dhe, gjithsesi, organi kompetent i inspektoratit, respektivisht Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të veprojë në mënyrë adekuate dhe do të vendosë në përputhje me rrethanat e konstatuara gjatë mbikëqyrjes.
U bëjmë thirrje drejtorive të shkollave, duke përfshirë edhe të SHF “Mustafa Kemal Ataturk” të përmbahen dhe të parandalojnë organizimin e çfarëdo aktiviteti që kanë prapavijë politike dhe që dërgojnë mesazh politik. Vetëm kështu do t’i mbrojmë fëmijët dhe do t’u mundësojmë proces edukativo-arsimor normal që luan rol të madh në formësimin dhe realizimin e tyre si individë.

Marketing