Miratohet Dekreti për zgjedhjet e 15 korrikut, fushata fillon më 24 qershor

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbrëmë vonë miratoi Dekretin me fuqi ligjore që ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 15 korrik 2020.

Marketing

Sipas njoftimit qeveritar, me këtë dekret rregullohen çështjet e lidhura me zgjedhjet, zbatimi i Kodit zgjedhor si dhe ligjeve të tjera që ndërlidhen me procesin zgjedhor.

KSHZ një ditë pas shpalljes së këtij Dekreti është e olbiguar që në afat prej një dite të publikojë në faqen e saj afatet e reviduara për vazhdimin e aktiviteteve zgjedhore në përputhje me Kodin zgjedhor, kryen aktivitetet administrative dhe teknike, etj.

MPB, KSHZ, gjykatat dhe Drejtoria për udhëheqjen e librave amë do të përfshihen në procesin e azhurnimit të të dhënave të shtetasve që do të jenë pjesë e përfshirjes në listën e votimit, por edhe procesin e verifikimit. Këtu bëjnë pjesë shtetasit që kanë aplikuar për letërnjoftime të reja, personat që mbushin 18 vjeç deri në ditën e zgjedhjeve, që të përfshihen në listën zgjedhore.

Në bazë të Dekretit, fushata për zgjedhjet parlamentare fillon më 24 qershor 2020 dhe zgjat 20 ditë.
Më 13 korrik do të votojnë personat që janë në karantinë shtëpiake për shkak se kanë rezultuar pozitiv me koronavirus si dhe personat që i është caktuar masa e vetizolimit.KSHZ për këtë do të formojë një apo më shumë këshilla zgjedhore, të përbëra nga 3 punonjës shëndetësor, që do të zbatojnë votimet. Partitë politike kanë të drejtën të emërojnë anëtar të tyre në këto këshilla të posaçme.

Më 14 korrik do të votojnë personat e sëmurë dhe ata të pamujtshëm. Më 15 korrik do të zhvillohen votimet e përgjithshme, ashtu qendrat e votimit hapen në ora 07:00 si dhe mbyllen në ora 21:00.

Zgjedhjet do të mbahen në kushte pandemie, ashtu që Ministria e Shëndetësisë do të aplikojë protokollet për të siguruar maska mbrojtëse, doreza si dhe pajisje të tjera mbrojtëse për të gjithë anëtarët e organeve zgjedhore si dhe mjete për dezinfektim për çdo vendvotim

Në këto zgjedhje qytetarët do të jenë të detyruar që në vendvotime të shkojnë me maska dhe të ruajnë distancën. Këto janë zgjedhjet e para në Maqedoninë e Veriut që organizohen në kushte pandemie të koronavirusit Covid-19.

Marketing