Miratohet Ligji i mediave, Mançevski: Politika larg duart nga mediat

Ligji i mediave ka marrë dritën e gjelbër nga 79 deputetë të pozitës dhe të opozitës.

Marketing

Ligji për audio dhe audio vizuele ishte hap që në vitin 2015, por i njëjti në komisionet e parlamentit u ballafaqua me bllokime dhe debate të stërzgjatura, ku VMRO-DPMNE-ja kishte dërguar rreth 70 amendamente. Ministri për shoqëri informative, Damjan Mançevski, u shpreh i kënaqur që sot u gjet gjuhë e përbashkët e gjithë deputetëve, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, dhe se prej sot politika duhet t’i mbajë duart larg nga mediat profesionale.

“Filluam diskutime dhe debate për ndryshimin e këtij ligji qysh në vitin 2015 dhe tani në fund të ditës mendoj se arritëm të gjejmë një zgjidhje të duhur, e cila para së gjithash, do të na japë mundësi që punëtorët e mediave të mund t’i marrin përgjegjësitë rreth funksionimit të mediave dhe ne si politikanë do të heqim duart nga mediat. Por tani, në kohën e implementimit të saj, prapë do të varet nga ne se a do t’i lëmë mediat vet ta bëjnë punë e tyre”,- tha ministri i shoqërisë informative, Damjan Mançevski.

Nga VMRO-DPMNE-ja kanë pohuar se reformat në mediat janë pjesë edhe e rekomandimeve të Pribesë dhe se Maqedonia duhet të marrë rolin e sajë kyç në realizimin e obligimeve të cilat dalin përballë mediave dhe funksionimin e tyre të lirë.

“Kështu siç është konceptuar Ligji për Mediat, nuk i plotëson në tërësi kërkesat e një ligji reformues, por tani kemi vendosur ta debllokojmë këtë ligj sepse në të kaluarën jemi akuzuar si frenues kryesorë të ligjit në fjalë. Prandaj, që mos të na mbetet kjo etiketë ne, kemi vendosur që t’i japim një mundësi këtij ligji, e më pas të shohim në praktikë si do të jetë implementimi i saj”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Liljana Zaturoska.

Sjelljen e këtij ligji e ka përshëndetur edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Marketing