Miratohet ndryshim- plotësim i Ligjit për ndërtim! “Vendimet për ndërtimin e spitaleve modulare i jep Ministria e Shëndetësisë”

Pandemia me korona virusin ndikoi që të ndryshohet edhe Ligji për ndërtim. Për shkak të gjendjes aktuale me Covid-19 u paraqit nevoja që në Ligjin për ndërtim të shtohet edhe një lloj i veçantë i ndërtimeve modulare për veprimtari shëndetësore. Në këtë lloj ndërtimesh përfshihen spitalet modulare dhe objekte të tjera varësisht nevojave të shëndetësisë e që do të vendosen në oborret e institucioneve shëndetësore.

Marketing

Gjithashtu risi e këtij ligji është se procedura për dhënien e vendimit për ndërtimin e tyre nuk e jep Ministria e Transportit por Ministria e Shëndetësisë me procedurë të veçantë.

Zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi tha se ky ndryshim u bë me qëllim të rritjes së efikasitetit në sistemin shëndetësor.

“Bisedohet për objekte që kanë nevojë në sistemin e shëndetësisë sepse ndërtime modulare ka edhe Ministria e Ekonomisë jep vendime dhe ato janë gjera tjera dhe në këtë rast kishte zbrazëtirë në ligjin aktual ekzistues për ndërtim dhe këto lloj ndërtimesh nuk parashiheshin, respektivisht ishte më e komplikuar. Tani është qartësuar dhe është parashikuar edhe ky lloj i veçantë”, tha Bekim Rexhepi – zv/ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Rexhepi thotë se ndërtimet do të financohen nga buxheti i shtetit por edhe me mjete ndihmë nga organizatat ndërkombëtare.

“Do të financohen nga buxheti i shtetit, Bashkimi Evropian ose nga ndonjë organizatë ndërkombëtare,  që të jepet një kontribut i duhur në ndërtimin e disa llojeve të veçanta të quajtura ndërtime modulare”, u shpreh zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi.

Ndërkohë që me rebalancin e buxhetit 2021 për dikasterin e Shëndetësisë janë ndarë 664 milion euro, të cilët do të ndihmojnë në shërbimet e shtëpive e shëndetit, për materiale dhe mjete shëndetësore si dhe ne investime kapitale në shëndetësi. Për shkak të korona virusit paraprakisht ishte ndryshuar edhe Ligji për mbrojtjen e popullsisë për mbrojtje nga sëmundjet infektive.

Marketing