Miratohet platforma e dialogut, do të ketë edhe “vija të kuqe”

Ekipi negociator i Kosovës ka miratuar platformën për dialogun me Serbinë, dhe nesër do ta dërgojë në Kuvend. Kjo platformë do të vendosë parimet mbi të cilat Kosova do të negociojë me Serbinë, dhe po ashtu temat të cilat do të diskutohen.

Marketing

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka thënë se për platformën janë konsultuar me të gjitha institucionet dhe ekspertët përkatës. Ai shtoi se kjo platformë pas votimit nga Kuvendi, do ta paraqesë qëndrimin e vetëm zyrtar të Kosovës në raport me dialogun me Serbinë.

“Kemi marrë edhe sugjerimet e krerëve të shtetit dhe përfundimisht ne e miratuam platformën me konsensus, që do t’ia paraqesim Kuvendit të Kosovës, që deputetët e Kuvendit të Kosovës të kenë mundësi përmes debatit të vijmë deri te votimi i platformës, që do të paraqesë qëndrimin zyrtar e të vetëm të Republikës së Kosovës në dialogun për njohjen që mund të ndodhë me Serbinë”, ka thënë Limaj.

I pyetur se a janë të përfshira në këtë platformë veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës, Limaj nuk ka dhënë një përgjigje konkrete, por ka thënë se do të shkojnë në dialog me parime afirmative.

“Jemi bazuar në dokumentet tona në të cilat është i bazuar shteti i Kosovës, Kushtetutën e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare dhe tani e tutje, gjithashtu, njëri nga paragrafët parasheh reciprocitet të plotë me të drejtat e komuniteteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi në raport me minoritetet në këtë rast”, ka thënë Limaj.

Bashkëkryesuesi tjetër i ekipit negociator, Shpend Ahmeti ka njoftuar se me këtë platformë në dialog do të ngrihen tema që nuk janë përmendur më parë.

“Përveç çështjeve të krimeve të luftës, të cilat ne mendojmë se trajtimi është i pabarabartë, kemi mbi 13 mijë viktima, shumica e tyre as nuk e dinë se çka ka ndodhur, por në të njëjtën kohë as ata që i kanë kryer këto krime para drejtësisë. Të flasim për dëmshpërblime, qofshin ato kolektive ose individuale, ne si shtet edhe sot i vuajmë pasojat e dëmeve, të cilat na i ka shkaktuar Serbia në luftë, qoftë përmes shkatërrimit të aseteve ekonomike e mos të flasim për dëmet individuale që ua ka bërë viktimave të ndryshe, pra në mbi 100 mijë shtëpi të djegura. Po ashtu, e kemi ngritur çështjen e viktimave seksuale”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se në platformë janë përcaktuar ndër të tjerash edhe vijat e kuqe. I pyetur se a nënkuptojnë vijat e kuqe shkëmbim të territoreve, Ahmeti ka thënë se platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës, sipas të cilës integriteti territorial i Kosovës është i garantuar.

Po ashtu, ai u ka bërë thirrje partive opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes, të cilat kanë refuzuar të jenë pjesë e ekipit negociator, që ta lexojnë platformën para se të vendosin për votimin e saj apo jo.

Ndryshe, platforma do t’i paraqitet Kuvendit të Kosovës nesër në ora 10:00. Kryenegociatorët kanë njoftuar se pas takimit me deputetët, platforma do të jetë publike për mediat dhe publikun e gjerë.

Marketing