Fëmijët i vuajnë pasojat më të mëdha nga ndotja e ajrit. Ata janë shumë më të ndjeshëm ndaj grimcave PM10. Në këtë rast, dobësohet kapaciteti i mushkërive tek fëmijët me imunitet të dobët. Drejtori i klinikës për fëmijë në Kozle rekomandon fëmijët të mos nxirren jashtë gjatë kohës kur ajri është i ndotur.

“Prindërit të mos i nxjerrin fëmijët e tyre jashtë gjatë kohës kur ajri është më i ndotur. Rekomandohet të vizitohen vende më të larta ku përqendrimi i oksigjenit është ndjeshëm më i lartë, që në njëfarë mënyre të kryhet pastrim fiziologjik i mushkërive. Gjithashtu fëmijët të dërgohen në hapësira të pastra ku ka pastrues të ajrit të cilët ndihmojnë që të largohen grimcat PM10 nga ajri”, tha Angelço Andonovski, drejtor i klinikës për fëmijë “Kozle”.

Njeriu i parë i ambasadës për fëmijë, Megjashi alarmon se mund të vijë edhe deri tek bojkotimi i procesit mësimor në rast se shteti nuk ndërmerr masa serioze për zgjidhjen e këtij problemi. Dragi Zmijanac dërgoi një apel deri tek komuniteti ndërkombëtar.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare është me të vërtetë e brengosur për të ardhmen e qytetarëve maqedonas, tani është koha vendimtare për të nxitur vendimmarrësit për të na shpëtuar jetën neve. Kur janë në pyetje fëmijët, kemi konsensus dhe këtu nuk ka tolerancë për ndotësit dhe për strukturat e korruptuara të cilat përfitojnë në llogari të shëndetit tonë”, u shpreh Dragi Zmijanac.

Nëse ulja e ndotjes është prioritet i shtetit, atëherë ndarja e vetëm 0.6% nga buxheti i shteti nuk mjafton për një gjë të tillë, porositin nga shoqata Radar.

“Kërkojmë që Qeveria të jetë transparente në punën e saj dhe të paktën një herë në javë ti informojë qytetarët në lidhje me hapat e ndërmarrë në lidhje me uljen e ndotjes. Kërkojmë aktivizim të qytetarëve në luftën kundër ndotjes së ajrit. Kërkojmë që të përdoren të gjitha kapacitetet e mundshme, kërkojmë aktivizim të inspektorëve, aktivizim të të gjithë dijes nga sektori i biznesit”, tha Gordana Nestorovska, Shoqata Radar.

Numrat tregojnë se në nivel vjetor, në Maqedoni vdesin nga 1300 persona për shkak të ajrit të ndotur, ndërsa vetëm për shërim nga sëmundjet të cilat paraqiten si shkak i ndotjes shpenzohen më shumë se 300 milion euro.