Mjekët presin përkeqësimin e gjendjes me Kovid-19

Bilanci drastik që preku kulmin e infeksioneve me virusin korona brenda një dite ri ndezi alarmin e të gjithë sistemit shëndetësor. Mbi 32% e testimeve rezultuan pozitiv me CoVid-19 në 24 orët që lamë pas, gjysma e të cilave vetëm në Shkup. Kryeqyteti mori hovin që në muajin e fundit ku aktualisht ka mbi 3800 raste aktive, më shumë se gjysma nga i gjithë vendi. Infektologët, të cilët janë në vijën e parë të frontit thonë se ky skenarë i pandemisë do të përkeqësohet gjatë muajve në vijim.

Marketing

Mund të konkludoj se ditët në vijim, javët e ardhshme mos të them edhe 2-3 muajt e ardhshëm do të jetë periudha e cila ndoshta do të jetë edhe me gjendje më kritike se sa ajo që jemi sot. Ndoshta po tingëllojë si jo shpresëdhënës por është një realitet i cili ndodh me të gjitha sistemet shëndetësore”-pohoi Fadil Cana, Infektolog.

Përveç simptomeve të dukshme të virusit korona, pasojat janë thelluar edhe në psikologjinë e gjithë shoqërisë, thonë njohësit e fushës. Psikologu Safet Ballazhi vë në dukje se gjendja e rënduar e shëndetit mendor shpeshherë çon deri në depresion. Ai bën thirrje për vetëpërmbajtje.

Që nga fillimi i kësaj situate të pandemisë me CoVid-19 ishte krijimi i një gjendje stresi tek popullsia. Por tek disa njerëz ai stresi krijohet nga frika për pasojat e mundshme që jemi të rrezikuar për vetë jetën. Nga ana tjetër te një kategori tjetër stresi më shumë nxit humbjen e kontrollit ndaj përditshmërisë”-tha Safet Ballazhi, psikolog.

Që nga fillimi i pandemisë deri më tani në vendin tonë janë diagnostikuar 28,697 persona, ndërkaq numri i të shëruarve është afër 20 mijë pacientë. Rritja ka edhe te numri i vdekjeve gjatë muajit tetor. Vetëm dje ndërruan jetë 14 persona, ndërkaq numri i përgjithshëm i pacientëve që humbën betejën me Covid-19 është afër një mijë./ALSAT-M/