Mjeku i infektuar dibran 25 ditë në izolim, akoma në pritje të rezultatit

Më 7 mars kishte pasur kontaktin me pacientin zero përkatësisht me pacientin e parë me KOVID-19 në Dibër. Ky kontakt, bëri që edhe mjeku dibran, Ylber Kokali të infektohet me virusin korona. Siç sqaron për TV 21, plogështinë e kishte ndjerë pas dy ditësh, më 9 mars.

Marketing

“Dita zero siç themi, dita 7 mars, në orët e mëngjesit, diku në ora 9 e gjysmë, që vizitova pacientin zero, sepse nuk kishim një informacion se mund të kemi një rast të tillë, sepse për shkaqe familjare, ato ditë unë kam qenë në Shkup. Pas orës 1 pasdite, me kolegun tonë kuptuam se në qytetin tonë gravitojnë pak pacientë të kësaj natyre. Më 9 mars, pas 48 orëve fillova të ndjej pak plogështi dhe një temperaturë të lehtë, subfebrile diku 37.5 dhe asnjë simptomë tjetër. Unë mendova se e kam nga lodhja e tepërt”, deklaroi për TV 21, mjeku i infektuar, Ylber Kokali.

Më 11 mars ishte paraqitur në Entin për mbrojtje shëndetësore për të bërë një test rutine. E kanë pyetur se a ka simptome, Kokali u ka thënë se jo. Për shkak se nuk ka pasur teste të mjaftueshme, kanë vendosur mos t’ia bëjnë testin atë ditë. Testi i ishte bërë pas 3 ditësh, më 13 mars.

“Më datë 13 mars, e bëra testin dhe rezultat i mora më 14 mars në orët e vona të natës, që jam pozitiv”, tha Kokali.

Edhe pse kanë kaluar 25 ditë nga ajo ditë, Kokali ende është në izolim. Thotë 95% të kohës qëndron i vetëm në shtëpi, ndërkaq 5% me familjarët. Më 1 prill e ka bërë sërish testin, për të parë se a duhet të jetë ende në izolim, apo jo. Por, edhe pse kanë kaluar 4 ditë, rezultatet ende nuk i ka marrë. Kjo ia ka shtuar ankthin Kokalit.

Ylber Kokali: Ripësëritjen e testimit e kemi bërë më 1 prill. Pas 48 orëve duhej të bënim edhe testimin e tretë. Kështu që të premten, më datë 3 prill e kemi ripërësitur. Mirëpo për fat akoma nuk kemi rezultat dhe kështu si me thënë jemi pak në ankth.
TV 21: E pse kaq gjatë rezultatet?
Ylber Kokali: Kjo është një rutinë. Të them të drejtën, siç e shihni edhe ju si gazetarë, që pacienti sorrollatet nëpër spitale andej këndej, merret testi për Kovid-19 dhe postmortum themi se ishte pozitiv. Është një sorrollatje me rastet edhe që kanë eksituar. Si rasti i Kumanovës, rasti i Strugës… Prandaj këtu kërkohet një azhuritet më i shpejtë. Unë e kuptoj se shërbimet janë të mbingarkuara, por në raste të tilla duhet pak më shumë… kanë filluar… punkte janë hapur… por, ja i njëjti rast jam edhe unë”.

Efikasiteti i testimeve sipas tij duhet të jetë më i madh, sidomos kur në pyetje janë personeli mjekësore, kjo sepse siç thotë ai, “kemi një rritje kaq drastike të të infektuarve”.

Se rezultate e testeve në Dibër vonohen me ditë, kuptohet edhe nga deklarata e kryetarit të Dibrës, Hekuran Duka.

“Nga 22 teste që janë marrë prej të mërkurën dhe deri më sot, kemi vetëm dy rezultate dhe të dyja janë korona-negativ”, tha Duka.

Për të ndihmuar në testimet, Qeveria ka kërkuar ndihmë edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Besojnë se ajo do t’u ndihmojë në aparaturë, që sa më shpejtë të jepen rezultatet për Kovid-19.

Marketing