Mjeku i infektuar nga Kumanova me apel: Mos dilni dhe respektoni distancën mes jush

Infektologu nga Kumanova, Aziz Bajrami tashmë ka vërtetuar se është i infektuar me virusin Covid-19.

Marketing

“Vëllezër dhe motra, qytetarë të nderuar, unë jam Aziz Bajrami, mjek specialist infektolog pranë Repartit Infektiv në Spitalin e Kumanovës. Dëshiroj të ju drejtohem të gjithëve, por në veçanti atyre që gjatë këtyre momenteve më telefonojnë. Në pamundësi t’ju përgjigjem të gjithëve, po e bëj këtë në mënyrë publike”, shkruan mjeku, Aziz Bajrami.

Specialisti Aziz Bajrami thotë se pas testit për virusin Covid-19 ka rezultuar pozitiv, pa simptoma dhe sipas protokollit për mbrojtje, tashmë ndodhet i ngujuar në shtëpi.

“Shfrytëzoj rastin që të apeloj tek të gjithë ju, që të respektoni rekomandimet e autoriteteve. Mosrespektimi i rregullave tashmë të njohura, nuk i ndihmon personelit shëndetësor i cili përballet çdo ditë me këtë armik të padukshëm, por nuk ju ndihmon as juve. Nuk është rasti për panik, kemi të bëjmë me një virus të panjohur të cilit duhet t’ia kontrollojmë përhapjen, në mënyrë që sistemi dhe strukturat shëndetësore të mund të i përballojnë një fluksi eventual të pacientëve. Mos dilni, respektoni distancën mes jush, izoloni të moshuarit baballarët dhe gjyshërit tek të cilët virusi mund të jetë më i rrezikshëm. Ne mjekët kërkojmë këtë nga ju , në mënyrë qetë mund t’ju ofrojmë shërbimin secilit që ka nevojë , si dhe ta kalojmë sa me më pak pasoja të mundshme”, shkruan mjeku Aziz Bajrami.