MO-ja në preambullën e kushtetutës? ZAEV: Për këtë çështje do të bisedohet

Kryeministri Zoran Zaev nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të prerë nëse në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë do të përmendet edhe Marrëveshja e Ohrit, si një ndër bazat për ndërtimin e shtetit. Ai megjithatë ka lënë të kuptohet se edhe për këtë do të bisedohet në procesin e ndryshimeve kushtetuese konform Marrëveshjes së Prespës. Kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Taki Fiti, ndërkaq beson se, kur është fjala për vënien në jetë të Marrëveshjes me Greqinë, nuk do të ketë bllokada të reja në Kuvend.

Propozim-amendamentet e paralajmëruara për ndryshimin e Kushtetutës, në përputhje me Marrëveshjen me Greqinë për emrin e ri të Maqedonisë, sipas kryeministrit Zoran Zaev, në Kuvend nuk do të mbërrijnë para pesë nëntorit. Zyrtarisht, tani për tani, nuk dihet nëse në to, saktësisht si propozim për ndryshim të Preambulës, a do të përfshihet edhe Marrëveshja e Ohrit, si një ndër pikat bosht të shtetbërjes së Maqedonisë, krahas dokumenteve të Republikës së Krushevës, vendimeve të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar nga Lufta e Dytë Botërorte, dhe ato të shpalljes së pavarësisë, në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar:

‘Kjo nuk është çështje e përcaktuar, për të tani do të bisedohet, dhe bisedohet në nivel të nënkryetarëve. E dini se unë isha i zënë me bisedimet me deputetët e grupit të ri parlamentar dhe partnerët e koalicionit me qëllim që procesin, të cilin e premtuam, ta bëjmë inkluziv,’ – tha kryeministri Zaev.

Sipas tij, pjesëmarrja e gjerë në procesin e ndryshimeve kushtetuese është me rëndësi, por nuk duhet që ambicie të caktuara të ndërpresin aplikimin e Marrëveshjes së Ohrit që është çelësi i hapjes së dyerëve për aderimin e Maqedonisë në NATO e më pas edhe në Bashkimin Evropian.

Reagimi i kryeministrit Zaev, pason deklaratën e mbrëmshme në Televizion Telma të zëvendës-kryeministrit Bujar Osmani se është e logjikshme që Marrëveshja e Ohrit të gjendet në Preambulën e Kushtetutës për shkak se ajo tashmë është shkrirë në Kushtetutë.

‘Është hap i logjikshëm, që të ketë në tërësi, elementet konstituive të shtetit. Kronologjikisht këto janë – Republika e Krueshëvs, KAÇKM-ja, Tetë Shtatori dhe Marrëveshja e Ohrit. Procesin kjo e bën inkluziv, edhe shtetin e bën inkluziv.’- tha Bujar Osmani – Zëvendës-kryeministër për Çështje Evropiane.

Siqoqoftë, burime të televizionit Klan Maqedoni, thonë se për këtë çështje ka shumë gjasë që të gjendet gjuhë e përbashkët, çfarë nuk mund të thuhet për propozim-ligjin për amnisti të dorëzuar nga VMRO-DPMNE-ja, apo për propozim-amendamentet e opozitës shqiptare. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Taki Fiti, ndërkaq beson se tek deputetët do të mbizotërojë arsyeja:

‘Këto çështje janë me interes më të lartë kombëtar, për të cilat ka consensus të plotë, pjesa më e madhe e qytetarëve e përqafojnë këtë qlllim dhe besoj se kjo do të tejkalohet, përkundër të gjitha problemeve.’- thotë kreu i Akademisë së Shkencave Taki Fiti.

Rrjedhimisht, burime nga Kuvendi thonë se pritet që të premten qeveria të dorëzojë në procedurë parlamentare paketën e ndryshimeve kushtetuese. Vetëm atëherë do të dihet se cili ka për të qenë fati i propozimeve të mësipërme, por edhe i kushteve me të cilat tetë deputetët opozitarë dhanë dritën jeshile për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës.

evn