Modeli zgjedhor “shoshitet” në fund të muajit

Ka mbaruar pjesa e konsultimeve te organet, partitë politike, organizatat dhe institucionet të cilat janë të kyçura në proceset zgjedhore mbi Kodin Zgjedhor. Në Grupet e punës ku janë konsultuar për detajet rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, kanë marrë pjesë të gjitha partitë politike, OSBE ndërsa janë organizuar nga Asociacioni Qytetar “MOST”. Ndërkohë, siç mëson gazeta KOHA nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Drejtësisë, takimet e grupeve të punës që i udhëheq ministrja e Drejtësisë si propozuese e ndryshimeve, ku pritet të harmonizohen qëndrimet midis partive politike për një Kod të ri Zgjedhor, pritet të fillojnë nga fundi i këtij muaj. Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani, në një prononcim për gazetën KOHA, njoftoi se ka mbaruar pjesa e konsultimeve me të gjithë pjesëmarrësit në procese zgjedhore dhe se tani pritet dokumenti final që më pas të shqyrtohen hapat e mëtejmë.

Marketing

“Ka mbaruar puna e grupeve të punës, ku bënte pjesë edhe KSHZ-ja. Ne i shprehëm mendimet e tona, tash të shohim se si do të vijojnë punët lidhur me Kodin Zgjedhor. MOST ka qenë bartës i këtij procesi, ndërsa mbështetej edhe prej OSBE-së. Grupet e punës kanë biseduar shumë aspekte, çështja e Listës zgjedhore, kandidaturave, diaspora, trajnimet dhe shumë segmente tjera”, deklaroi Shabani.

Në konsultat për Kodin Zgjedhor kanë marrë pjesë edhe partitë politike shqiptare. Nga BDI-ja e Ali Ahmetit thonë se me vëmendje po ndjekin të gjitha zhvillimeve rreth Kodit Zgjedhor dhe se të gjitha propozimet e tyre do i bëjnë të ditura për opinionin me kohë. “Në të gjitha proceset rreth Kodit Zgjedhor ne do të marrim pjesë. I kemi edhe ne propozimet dhe sugjerimet tona, por ende nuk është koha që ti themi. Kur të finalizohen konsultat, atëherë do të bëjmë të ditura qëndrimet tona për opinionin”, deklaruan nga BDI.

Nga ana tjetër, Remzi Mehmeti nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), i kyçur në grupet e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, thotë se partia e tij ka shumë vërejtje për shumë mangësi përmbajtësore dhe teknike, por më kryesoret janë Listat e hapura zgjedhore si një nevojë e domosdoshme e demokratizimit të shoqërisë dhe vetë partive politike, e cila do t’i mundësonte shoqërisë një përfaqësim më të drejtë dhe më adekuat dhe njëherë të zgjedhurit, gjegjësisht deputetët i vesh me përgjegjësi më të mëdha kundrejt votuesve të tyre në ushtrimin e veprimtarisë. “Çështje mjaft e rëndësishme ngelet çështja e rregullimit të Zonave zgjedhore. Të gjithë jemi dëshmitarë që ndarja e këtillë e Zonave zgjedhore nuk është e drejtë dhe aspak nuk pasqyron realitetin në mandate as në aspektin etnik dhe as në aspektin partiak. Në këtë drejtim, ASH është duke punuar intenzivisht me grupe ekspertësh për të dalë me propozimin final të modelit zgjedhor, i cili do të ishte sa më i përafërt me pasqyrimin e realitetit etnik dhe partiak në këtë shtet shumë etnik. Çështja e votimit të diasporës po ashtu ngelet një çështje për diskutim shumë serioz ngase diskutohet për një kategori shumë të rëndësishme të qytetarëve, të cilët përmes këtij modeli ekzistues, nuk janë në gjendje të ushtrojnë sovranitetin e tyre”, deklaroi për gazetën KOHA, Remzi Mehmeti nga ASH.

Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, potencon se partitë politike varësisht nga pozicionet që kanë, janë në pozitë apo opozitë, ashtu edhe i shprehin vërejtjet e veta rreth aspekteve të ndryshme të Kodit Zgjedhor. “Vërejtjet kanë qenë në drejtim të asaj se Komisionet Zgjedhore kanë qenë të partizuara. Më pas, një proces tepër i rëndësishëm është procesi i kontrollit, por edhe i ankesave. Komisionet zgjedhore shpeshherë nuk janë transparentë në numërimin e votave dhe në përpilimin e dokumentacionit të plotë”, deklaroi për gazetën KOHA, Fadil Zendeli, deputet. Propozimet e Lëvizjes BESA për Kodin Zgjedhor janë kryesisht në drejtim të ndryshimit të modelit zgjedhor.

“E para, që është e domosdoshme sipas neve, është vendosja e listave të hapura preferenciale si dhe ndryshimi nga gjashtë njësi zgjedhore në së paku tre njësi, ku do krijohej një baraspeshë mes rajoneve dhe jo si deri më tani që Njësia e 6 zgjedhore të ketë peshën e njëjtë si Njësia e 3 ose e 4 edhe pse në Njësinë e 6 votojnë mbi 30.000 votues me shumë se në njësinë 3 apo 4”, nënvizon Zendeli. Ndërkaq, profesori universitar, Bashkim Selmani, vlerëson se praktika e deritanishme e zgjedhjeve ka nxjerr në pah disa nga shqetësimet bazë si për të zgjedhurin, ashtu edhe për votuesin.

“Vëmendja e parë që duhet kushtuar është numri diskutabil i votuesve të përgjithshëm në nivel shtetëror që nuk përputhet me gjendjen faktike, numri i fituesit për një deputet të jetë i standardizuar në të gjithë shtetin, Listat zgjedhore të jenë të hapura që nuk do mund të kenë vendimmarrje të vetme liderët partiak, por vota e fituar që nënkupton edhe forcimin dhe ndryshimin eventual të liderëve partiak në bazë të votës së fituar. Pjesa tjetër duhet t’i kushtohet rolit të zgjedhjeve në diasporë që nuk është e dëshmuar si funksionale dhe duhet kërkuar modalitet tjetër funksional për të përfshirë qytetarët shqiptar që është dëshmuar jo funksional”, theksoi Selamni.

Përndryshe, ndryshimet në Kodin Zgjedhor disa nga partitë politike në pushtet i kanë edhe të notuar në platformat e tyre zgjedhore se do të angazhohen për ndryshimin e modelit zgjedhor, nga ky aktual me lista të mbyllura në lista të hapura. Nga ana tjetër, Kodi aktual zgjedhor përmban dispozita paradoksale, sidomos kakofonia juridike e shkaktuar duke inkorporuar disa dispozita në Kodin zgjedhori që janë burim i Marrëveshjes së Përzhinos. (koha.mk)

Marketing