“Monstra”, Aziri: Jam kërcënuar me jetë nga policia

Seanca e radhës gjyqësore për rastin “Monstra” është caktuar për më 5 shtator kur edhe pritet të publikohen bisedat e përgjuara ilegalisht në lidhje me rastin në fjalë.

Marketing

Ndërkohë gjatë seancës së sotme i akuzuari Fejzi Aziri i është ankuar gjykatësit Ognen Stavrev se ka pasur kërcënime me jetë nga ana e policit i cili e ka sjellë nga burgu i Shtipit deri në Gjykatën Penale.

Aziri gjithashtu ka theksuar se duart i ka pasur të lidhura me pranga nga prapa edhe përkundër që ka kërkuar që në vitin 2014 që të mos i lidhen duart në atë mënyrë, sepse nuk ka mundur ta përballoj për shkak të sëmundjes.

“Kam kërcënime me jetë nga polici i cili më sjell në Gjykatë. Thotë se do të na shkrep nga një plumb në kokë dhe të përfundoj me të gjithë ne. Prangat gjithashtu mi vendosin nga prapa, ndërsa unë jam i sëmurë dhe nuk mund ta përballoj këtë”, tha i akuzuari Fejzi Aziri.

Pas kësaj dëshmie të Fejzi Azirit përfaqësuesi i policisë së burgut i pranishëm në seancën gjyqësore deklaroi se kjo nuk është e vërtetë dhe se nuk ka kërcënuar Azirin e as ndonjë tjetër të akuzuar.
Aziri gjithashtu ka kërkuar që të vendoset në ndonjë burg në Shkup, sepse nuk ka mundur më tej të përballoj udhëtimin nga qytetet e tjera.

Marketing