‘Monstra’, ekspertët: Viktimat janë vrarë në Liqenin e Smillkovës

Nuk ka asnjë dyshim se pesë viktimat janë vrarë në Liqenin e Smillkovës, më 12 prill 2012. Këtë me shumë siguri e thanë ekspertët e Mjekësisë Ligjore, në seancën e sotme për rastin “Monstra”, të cilët në mënyrë të detajuar sqaruan për çdo viktimë se si kanë qenë të vrarë.

Marketing

Profesori Zllatko Jaqoski, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore tha se ekspertizën e kanë punuar së bashku me profesoreshën Biljana Janevska. Ndërsa, njoftoi se ata po atë natë kanë shkuar në vendin e ngjarjes për ta kryer ekspertizën, pasi janë informuar nga gjykatësi hetues.

“Pesë viktimat janë të vrarë në vendin ku janë gjetur dhe ata janë vrarë për një periudhë të shkurtë kohore. Ata kanë vdekur për shkak të plagëve të marra nga armë zjarri dhe ka pasur gjak nën trupat e tyre, që tregon se vendi i ngjarjes ka qenë pikërisht ai. Po ashtu në tokë, nën trupat e disa viktimave janë gjetur proektil”., deklaroi Zllatko Jaqoski nga Instituti i mjekësisë ligjore.

Jaqoski tha se trupi i peshkatarit Borçe Stefanovski është gjetur afër veturës, ndërsa në duar ka pasur çelësat. Ndërsa në kapakun e motorit të veturës janë gjetur pjesë truri.
Familjarët e djemve dhe peshkatarit të vrarë sot nuk ishin të pranishëm, pasi në seancën paraprake kishin thënë se është shumë e dhimbshme për ta dhe nuk do të mund t’i ndjekin dëshmitë. Në seancën e ardhshme do të dëshmojnë ekspertë të balistikës.

Rasti “Monstra” ka nisur që nga muaji shkurt dhe ende është në procedurë të provave. Për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës, ku u vranë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta. Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit të kaluar i anuloi vendimet dhe rastin e mori PSP-ja.