Gjatë seancës së sotme për rastin Monstra, avokati i palës mbrojtëse Naser Raufi tha se dëshmitari është i dyshimtë dhe i montuar nga dikush. Ata thonë se ky dëshmitar i fshehur nuk e flet të vërtetën.

Pala mbrojtëse – dëshmitari gënjen dhe merr instruksione prej dikujt!
Avokati Naser Raufi tha se deklarata e dëshmitarit të koduar nuk është identike si deklarata e tij nga gjykimi i mëparshëm.

“Dëshmitari, nuk e di prej kujt, por merr instruksione dhe gënjen gjatë dëshmisë. Aktvendimi i kaluar ishte sjell në bazë të dëshmisë së këtij dëshmitari, i cili edhe atëherë gënjente dhe për atë edhe procesi filloi që nga fillimi. Deklaratat kontroverse të dëshmitarit na kanë sjellë deri në gjykim të ri, ndërkaq tani prapë të njëjtën e dëgjojmë”, tha Raufi.

Edhe familjari i dënuarve, Bedri Ajdari, tha se dëshmitari “E1” është i përgatitur nga dikush dhe hodhi dyshime se gjatë dëshmisë së tij, ai ka marrë instruksione se çfarë të flet.
“Këtë dëshmitar po e trajnojnë dhe po ia përgatisin dëshmitë me anë të kërcënimeve, por dhuratave. Ishit dëshmitar se si gjatë dëshmisë përpara monitorit ai vazhdimisht qëndronte në anën e majtë të monitorit dhe kur i parashtroheshin pyetje ai e lëvizte vendin dhe i vononte përgjigjet. Dyshoj që ky dëshmitar vet do të zbulohet, pasi që më shumë ka frikë prej atyre njësiteve që i përgatisin këta dëshmitar se sa prej të akuzuarve”, deklaroi Ajdari, transmeton Portalb.mk.

Seanca e radhës vazhdon të premten më 24 gusht, ku do të vazhdojë pala mbrojtëse, të akuzuarit dhe familjarët e të vrarëve në Liqenin e Smillkovës t’i parashtrojnë pyetje “E1”, ndërkaq në seancën pas saj, gjegjësisht më 31 shtator, do ta marrë në pyetje dëshmitarin gjykatësi Ognen Stavrev dhe kolegu i tij, Osman Shabani.

Dëshmitari i mbrojtur “E1” është propozua nga Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2012. Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Pos dëshmitarit “E1”, në cilësinë e dëshmitarit të fshehur ka qenë edhe Haki Aziri, i cili, pas heqjes dorë nga ky status, Prokuroria Themelore Publike asokohe e ka akuzuar edhe atë për pjesëmarrje në vrasje, gjegjësisht për logjistikë.
Paraprakisht, kanë dëshmuar 4 peshkatarë, 3 prej të cilëve janë romë dhe të cilët në natën e kobshme kanë qenë duke peshkuar në Liqenin e Smillkovës.