Moti me erë e then rekordin e energjisë së ripërtëritshme në Britani

Stuhia e quajtur “Diana” ka shkaktuar kaos në trafikun rrugor, ajror dhe në hekurudha, por retë e sollën edhe një gjë pozitive në Britani të Madhe. Erërat e fuqishme ndikuan që prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme të shënojë rritje rekorde.

Marketing

Energjia e prodhuar nga era përbënte për herë të parë një të tretën e energjisë së prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar, mes orës 6 dhe 6 e 30 minuta të mbrëmjes, të mërkurën e kaluar, pikërisht në kohën kur kërkesa për energji është më e larta. Sasia e prodhimit të energjisë nga era arriti në nivelin e 14.9 gigavatëve, duke e thyer kështu rekordin e mëparshëm, që ishte 14.5 gigavatë.

Ky sukses u shënua në kohën kur u inaugurua edhe një qendër për prodhimin e energjisë nga era afër qytetit Brighton, e cila pritet t’i furnizojë me rrymë jo më pak se 350 shtëpi. Moti i ndryshueshëm ka ndikuar që mijëra turbina të erës të jenë burimi kryesor i pordhimit të energjisë në Britani të Madhe. Në këtë mënyrë, burimet e gazit kanë mbetur pothuajse të pashfrytëzuara.

Vetëm para një dekade, energjia e prodhuar nga era përbënte vetëm 2 për qind të sasisë së përgjithshme të energjisë së prodhuar në vend, por vitin e kaluar kjo shifër u rrit në 15 për qind. Britania e Madhe është duke planifikuar që të ndërtojë edhe qendra tjera të prodhimit të energjisë nga era, përfshirë projektin “Rampion”, i cili do të prodhojë 400 megavatë energji, shkruan “The Guardian”.

Marketing