Ministria e Punëve të Brendshme, në pajtim me kompetencat e saj ligjore po i ndërmerr të gjitha masat e domosdoshme me qëllim votimi në referendumin e ardhshëm më 30 shtator të kalojë në rendin e duhur, respektivisht të mundësohet deklarimi i lirë i vullnetit të popullit.

Në pajtim me ligjet, citohet në njoftimin e MPB-së, çfarëdo lloj presioni, kërcënimi apo shantazhi gjatë aktit të votimit do të pengohet dhe do të sanksionohet. Gjithashtu në pajtim me ligjet, çdo tentativë për të penguar realizimin e të drejtës së votës do të sanksionohet.

“I mohojmë gënjeshtrat e parashtruara sot në pres konferencën e VMRO-DPMNE-së. MPB-ja tashmë nuk është institucion i partizuar siç ishte në të kaluarën. Tani MPB-ja punon sipas ligjeve. I bëjmë apel subjekteve politike nëse konsiderojnë se të drejtat e tyre janë të cënuara, atëherë menjëherë të raportojnë që të mund të ndërmerren veprimet e mëtejshme”, shtohet në njoftimin e Ministrisë.