Ministria e Punëve të Brendshme gjatë 48 orëve të fundit ka kryer arrestime masive për të penguar siç u tha një sulm të mundshëm terrorist, nga mbështetës të ISIS-it. Policia ndërmori masa operativo-teknike dhe bastisje në disa lokacione lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e shtetit tonë, siç thonë ata nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetës të ISIS-it.

Jozyrtarisht mësohet se janë arrestuar rreth 20 veta nga Shkupi, Kumanova dhe qytete tjera. Por nga ana tjetër MPB nuk ka zbuluar identitetin e personave të ndaluar. Siç mëson INA, një Shkup janë ndaluar mbi 8 veta, ndërsa në Kumanovë një person.Por ka të ndaluar edhe nga qytete të tjera.

Pas njoftimit të MPB-së, ambasada e Amerikës në Shkup paralajmëroi qytetarët e vet të cilët qëndrojnë në Maqedoni që të jenë të vëmendshëm.
“Ekziston rrezik i ndonjë sulmi terrorist nga ideologjitë ekstremiste në Maqedoninë e Veriut. Sulmet terroriste dhe incidentet e tjera të sigurisë shpesh ndodhin pa asnjë paralajmërim, ndërsa shtetasit e SHBA-ve inkurajohen që të mbajnë nivel të lartë të gatishmërisë”, njoftoi ambasada amerikane.

Nga kjo ambasadë thonë se ekstremistët kanë tendencë të sulmojnë objekte që janë “objektiva të buta” siç janë qendrat tregtare, tregjet, aeroportet, hotelet, klubet, restorantet, objektet fetare, shkollat, parqet dhe ngjarjet publike.