Ministria e Punëve të Jashtme kumtoi se ka dërguar kërkesë për informim zyrtar deri te institucionet afgane lidhur me lajmin se një shtetas i Maqedonisë është rrëmbyer dhe vrarë në territorin e Afganistanit.

“Lidhur me informacionet të cilat dolën në media për rrëmbimin dhe vrasjen e një shtetasi të Maqedonisë në territorin e Afganistanit, ju informojmë se Ministria menjëherë dërgoi kërkesë për informim zyrtar në institucionet afgane. Pas marrjes së informacionit zyrtar nga autoritetet afgane, në pajtim me procedurat ligjore, MPJ-ja do ta informojë Ministrinë e Punëve të Brendshme”, theksohet në kumtesën e MPJ-së.

Mediat e huaja paradite njoftuan se tre persona, nga Maqedonia, Malajzia dhe India janë rrëmbyer dhe vrarë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul. Sipas zëdhënësit të shefit të policisë së Kabulit Hashmat Stanekai trupat e tyre janë gjetur, ndërsa pranë tyre kanë qenë edhe letërnjoftimet e tyre. Zëdhënësi saktëson se të tre kanë punuar në kompaninë e dytë më të madhe për ushqim në botë Sodesko.