MPJ thotë se po punojnë për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) është në kontakt të vazhdueshëm më autoritetet e Maqedonisë Veriore për të siguruar lirimin e ish ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina.

Marketing

Kështu ka bërë të ditur në një postim të tij në rrjetin social, Facebook këshilltari i ministrit Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj.

Sipas tij, urdhër-arrestet politik të Serbisë, kundër luftëtarëve të lirisë së UÇK-së nuk kanë kuptim dhe as bazë ligjore dhe thjesht bazohen në lojëra politike të Beogradit.

“Që nga dita e parë e ndalimit, ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet e Maqedonisë Veriore për të siguruar lirimin e Tomor Morinës. Ka procedura në Maqedoninë e Veriut që autoritetet e atjeshme duhet me i ndjek, dhe ne jemi duke komunikuar rregullisht dhe intensivisht me Shkupin për të shpejtuar lirimin e ish luftëtarit të lirisë, Tomor Morina. Urdhër-arrestet politik të Serbisë* kundër luftëtarëve të lirisë së UÇK-së nuk kanë kuptim dhe as bazë ligjore dhe thjesht bazohen në lojra politike të Beogradit”, ka shkruar Zyberaj, duke shtuar se besojnë se së shpejti lirimi i tij do të ndodh, si dhe kthimi tek familja e tij.

“Besojmë në lirimin e shpejtë të Tomorit dhe këtu nuk ka dilema. Ky përcaktim është pranuar për faktin se shteti i Serbisë ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit (pas luftës së dytë botërore) në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. Shteti serb vazhdon edhe sot të pengojë pajtimin në rajon”, ka thënë ndër të tjera, Jetlir Zyberaj.

Ndryshe, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina javën e kaluar është ndaluar nga policia e Maqedonisë së Veriut në kalimin kufitar Bllace me kërkesë të Serbisë, në Interpol me akuzën “krim ndaj njerëzimit”. Autoritetet e shtetit maqedonas i kanë caktuar paraburgim prej 30 ditësh, për të pritur faktet e Serbisë për këtë rast.