Muhaxhiri: Vizita e Tsipras në Shkup pamje premtuese – opozita kosovare të marrë shembull nga Zaevi

– Gjatë ditës kryeministri grek Alexis Tsipras ka realizuar një vizitë zyrtare në Shkup ku është pritur nga homologu i tij maqedonas Zoran Zaev.

Marketing

Vizita e Tsipras në Shkup u cilësua si historike pasi kjo është vizita e parë e një kryeministri grek që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, këtë moment në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë e ka cilësuar si shpresë të madhe për rajonin.

“Shpresë ka gjithmonë aty ku ka njerëz me vullnet për normalitet. Kjo që po e shohim sot është diçka normale sepse ekziston vullneti për këtë akt normal dhe etapë normale.Deri më tani ka qenë jonormale, një populizëm i mjerueshëm që i ka bërë dëm më së shumti vet qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, thotë ai.

Muhaxhiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se ‘selfie’ e realizuar mes kryeministrave Zaev dhe Tsipras është një simbolikë për një epokë të re.

“Ajo që ishte më e rëndësishme dhe më e bukura sot ishte ‘selfie’ e Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras. Ishte shenjë simbolike e një etape të re, një momenti bashkëkohor që i lë prapa të gjithë ato pseudonacionalizma negative me të cilin është dëshmuar qeveria Gruevski dhe e hapë një perspektivë të re. Është pamje jashtëzakonisht pozitive, premtuese dhe shpresuese. Kjo pamje dhe ky takim jep shpresë që herëdokurdo njerëz normal vijnë në pozita vendimmarrëse dhe i groposin ato animozitete të pabaza dhe animozitete që i shkojnë për shtati vetëm liderëve të dobët dhe konflikutozë siç ka qenë Nikola Gruevski dhe plot të tjerë”, u shpreh Muhaxhiri

Sipas Muhaxhirit, shembullin e Zoran Zaevit duhet ta ndjekin partitë opozitare në Kosovë.

“Nga kjo pamje sot mendoj se edhe opozita në Kosovë duhet të marrë shembull nga Zoran Zaev i cili është shndërruar në një figurë unifikuese, qoftë edhe mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Në zgjedhjet e kaluara ndodhi ajo që ndoshta askush nuk do ta kishte paramenduar – në një parti maqedonase të anëtarësohen shqiptarë dhe shqiptarët të votonin për një parti maqedonase më parë se sa për një parti shqiptare”, potencoi ai.

“Zoran Zaev e bindi një përqindje të caktuar të elektoratit shqiptar se mund të jetë një figurë për ndryshim. Nikola Gruevski ishte jashtëzakonisht i fuqishëm dhe e kishte gjithë aparatin institucional dhe shoqëror. Ai shihej si i pandryshueshëm, si një lider që do të qeveriste për një kohë të gjatë, por [Zoran] Zaev arriti të krijojë një imazh të vetin si person unifikues derisa fitoi edhe besimin e ndërkombëtarëve – sot është figurë shpresëdhënëse e Maqedonisë”.

Ai ka thënë se ky duhet të jetë shembulli që partitë opozitare, me theks të veçantë LDK-ja, duhet ta marrë.

“Nevojitet një politikan nga opozita që t’i mobilizojë të gjitha pakënaqësitë në raport me Qeverinë. Duhet të identifikohet një lider që do të mund t’i mbledhë votat e LDK-së, por edhe të të pakënaqurve nga partitë e tjera në mënyrë që të kemi një ndryshim të pushtetit në Kosovë”.

“Nikola Gruevski ka qenë shumë më i fuqishëm në Maqedoni se sa është Ramush Haradinaj ose koalicioni PAN në Kosovë dhe ndodhi ky ndryshim. Edhe në Kosovë mund të ndodhë ky ndryshim sepse elektorati është i vetëdijshëm për ofertat dhe e di kur një lider mund të jetë shpresëdhënës dhe garantues i një ndryshimi. LDK-ja e ka më të lehtë në Kosovë se sa që e kishte [Zoran] Zaev në Maqedoni për shkak të kapjes së gjithë sistemit institucional”, përfundoi Muhaxhiri.