Partia në pushtet – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe partitë opozitare shqiptare – BESA dhe Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojnë të bëhet Regjistrimi popullatës në vitin 2020 nëse në formularin e numërimit nuk figuron grafa për përkatësinë etnike. Në lidhje me propozim -ligjin për Regjistrimin e popullsisë, të paralajmëruar ditë më parë nga drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski, deputeti i BDI-së Artan Grubi tha se nga viti 2002 kur edhe është bërë Regjistrimi i fundit i popullatës në Maqedoni, ky proces nuk realizohet për nevoja statistikore, por me prapavijë politike më të vetmin qëllim – të ulë numrin e popullatës shqiptare që jetojnë në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.

“Në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Maqedonisë, u garantohet e drejta qytetarëve të regjistrohen në bazë të përkatësisë etnike që ata i takojnë e jo sipas gjuhës që flasin. Fillimisht duhet të reformohet Enti Shtetëror i Statistikave të Maqedonisë dhe më pas në një proces gjithëpërfshirës, të zhvillohet një operacion statistikor, i cili do t’i shërbejë ndërtimit të politikave të mëtutjeshme të Qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore. Pra, Regjistrimi i popullatës duhet të jetë proces statistikor e jo politik. Esenciale për momentin është të rritet kredibiliteti dhe besueshmëria e shqiptarëve ndaj këtij institucioni”, tha Grubi.

Edhe për kryetarin e Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë, Ziadin Sela, është e papranueshme Regjistrimi i popullsisë ku nuk do të ekzistojë grafa e nacionalitetit.

“Enti për Statistika është institucion i pabesueshëm. Këtë propozim e kundërshtojmë ashpër. Tendencat edhe në ndryshimet e Kushtetuese për shtet monoetnik janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Këto fshehin edhe qëllime tjera që kanë për qëllim të godasin mbi balancën etnike dhe formën e funksionimit të shtetit. Ne si ASH u bëjmë thirrje edhe partive tjera shqiptare në pushtet, që mos e mbështesin këtë propozim. Shpresojmë që ky propozim të mbesë vetëm propozim”, tha Sela. Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, vlerëson se një Regjistrim i popullatës në Maqedoni ku garantohet në Preambulën e Kushtetutës përkatësia etnike, pa grafën e përkatësisë etnike, është i papranueshëm për shqiptarët dhe shkelje e së drejtës elementare të nacionalitet.

“Është shumë simptomatike që qytetarët të regjistrohen sipas gjuhës që e flasin, e në anën tjetër përjashtohen nga e drejta për përkatësinë etnike që është e garantuar me Kushtetutë. Elementi që të shkruhet vetëm gjuha të cilin e flasin është diskutabile që ngritë shumë dyshime, ndërsa qëllimi kryesor është me prapavijë politike dhe jo operacion statistikor. Aq më tepër kur kemi parasysh se në këtë institucion kemi përfaqësim të ulët të shqiptarëve. Së pari ky institucion duhet të reformohet dhe të shndërrohet në institucion të mirëfilltë dhe jo institucion, i cili në të gjitha regjistrimet e tanishme të zhvilluara në Maqedoni, qëllimisht e ka fshehur dhe ka publikuar shifra jo të sakta të shqiptarëve që janë rezidentë në Maqedoni”, tha deputeti Zendeli. (koha.mk)