Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas dështimit të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, duke thënë se sot ishte një ditë e vështirë për Parlamentin dhe Kosovën.

Përmes një shkrimi në Facebook, Mustasfa ka thënë se është e kotë për pozitën ta mashtrojë veten, Brukselin dhe Washingtonin se ata janë mazhoranca.

Madje ai ka shtuar se për dialog serioz dhe të përgjegjshëm lypsen zgjedhje të reja e jo manipulime për të ruajtur shtetin.

“Sot përjetuam një ditë të vështirë për Parlamentin dhe për Kosovën. Ajo çfarë pamë flet se është e kotë për pozitën ta mashtrojë veten, dhe të tentojë të mashtrojë Brukselin dhe Washingtonin se ata janë mazhoranca sepse në fakt nuk janë mazhorancë. Prandaj ata munden si individ dhe ekipe edhe të shkojnë në Bruksel, edhe të fotografohen, por as Presidenti dhe as Qeveria nuk mund ta bëjnë asnjë marrëveshje sepse pa opozitën nuk mund të ratifikohet në Kuvend.

Është e qartë se për një dialog përmbajtjesor, serioz e në interes të vendit, Kosovës i nevojitet një pozitë dhe opozitë e fortë, jashtë margjinës së Listës Serbe; njerëz me legjitimitet politik e qytetar. Lypsen zgjedhje të reja për dialog serioz dhe të përgjegjshëm. Jo manipulime për ta ruajtur pushtetin”, ka shkruar Mustafa.